Kërluku: Drejtorët komunistë, të përjetshëm
Një nga mënyrat më të qarta ku privilegji bëhej i trashëgueshëm ishte punësimi i fëmijëve të drejtorëve. Edhe pse regjimi shpallte me forcë parimin e barazisë, në praktikë, fëmijët e drejtuesve të rëndësishëm kishin më shumë mundësi për shkollim, kuadrozim dhe pozita të larta në administratë, ushtri ose ekonomi
Nga Delvina KËRLUKU
Në periudhën e komunizmit (në ish federatën komuniste jugosllave), drejtuesit e institucioneve, ndërmarrjeve dhe shkollave njiheshin gjerësisht si “drejtorë”, por roli i tyre kishte më shumë karakter ideologjik sesa profesional. Nën regjimin e krerëve komunist, drejtori nuk ishte thjesht një administrator: ai ishte zbatues i vijës së partisë, përgjegjës për zbatimin e politikave komuniste në çdo sektor të jetës shoqërore.
EMËRIMI DHE BESNIKËRIA POLITIKE
Drejtorët emëroheshin nga strukturat e Partisë dhe jo mbi bazën e meritës apo kompetencës profesionale. Më e rëndësishme ishte besnikëria ndaj partisë dhe gatishmëria për të zbatuar urdhrat pa kundërshtim. Ata shpesh vinin nga radhët e kuadrove të rinj të partisë, shumë herë me shkollim të kufizuar, por me një “biografi të pastër”. (Këtë rrugë e ndoqën edhe partitë në formimin e shtetit Maqedoni, trashëgimtarë të komunizmit!)
ROLI NË NDËRMARRJE, SHKOLLA DHE INSTITUCIONE
Në ndërmarrjet shtetërore, drejtori mbante përgjegjësi për prodhimin, normat, si dhe disiplinën ideologjike të punëtorëve. Në shkolla, kishte detyrë jo vetëm të drejtonte procesin mësimor, por edhe të siguronte që mësuesit dhe nxënësit të ndiqnin edukimin komunist dhe të merrnin pjesë në aktivitetet politike të rinisë. Në institucione si spitalet, bibliotekat apo qendrat kulturore, ishte shpesh një figurë që mbikëqyrte “pastërtinë ideologjike”, përveç detyrave administrative.
MBIKËQYRJA DHE FRIKA
Drejtori nuk ishte një figurë e lirë për të marrë vendime të pavarura. Ai mbikëqyrej nga sekretari i partisë në ndërmarrje apo në rrethin përkatës. Gjithçka duhej të kalonte përmes miratimit të strukturave partiake. Një gabim i vogël, një dyshim mbi besnikërinë ndaj vijës së partisë, mund të sillte shkarkimin, dënimin ose internimin.
FIGURA KONTRADIKTORE
Disa drejtorë janë kujtuar me respekt për ndershmërinë apo kujdesin ndaj vartësve të tyre. Të tjerë u kujtuan për arrogancën, abuzimin me pushtetin, servilizmin ndaj strukturave të larta, apo për ndëshkimin e njerëzve të pafajshëm. Në të dy rastet, ata ishin produkt i një sistemi që e vinte besnikërinë politike mbi çdo aftësi tjetër.
PRIVILEGJET E DREJTORËVE KOMUNISTË
Në një sistem ku barazia shpallej si parim themelor, drejtuesit e institucioneve, veçanërisht ata që gëzonin besimin e Partisë, përfitonin privilegje të veçanta – të heshtura, por të njohura nga të gjithë. Drejtorët komunistë, edhe pse pjesë e klasës punëtore “në teori”, ishin në fakt një kastë e privilegjuar që jetonte ndryshe nga shumica e qytetarëve. Drejtorët kishin qasje të veçantë në mallrat që për popullin e zakonshëm ishin luks: mish, pije, veshje më cilësore, dhe herë pas here – pajisje elektro-shtëpiake. Shpesh, këto u siguroheshin përmes dyqaneve të brendshme të quajtura “dyqanet e kuadrove”, ku shiteshin mallra që nuk gjendeshin në tregun e zakonshëm. Në udhëtime pune, ai kishte akomodim më të mirë, mjete transporti dhe trajtim të veçantë. Drejtori ishte “njeriu i partisë” dhe për shumë, një telefonatë prej tij mund të zgjidhte ose të shkatërronte fatin e një familjeje.
PUNËSIMI I FËMIJËVE – TRASHËGIMI E PRIVILEGJEVE
Një nga mënyrat më të qarta ku privilegji bëhej i trashëgueshëm ishte punësimi i fëmijëve të drejtorëve. Edhe pse regjimi shpallte me forcë parimin e barazisë, në praktikë, fëmijët e drejtuesve të rëndësishëm kishin më shumë mundësi për shkollim, kuadrozim dhe pozita të larta në administratë, ushtri ose ekonomi. Shpesh, këta fëmijë dërgoheshin në degët më të kërkuara në universitete, ose caktoheshin si “kuadro të ardhshëm” në ndërmarrje dhe institucione. Edhe nëse nuk kishin rezultate të shkëlqyera, ‘biografia e mirë’ dhe emri i prindit mjaftonin për t’u punësuar në poste të sigurta dhe me perspektivë.
Ky fenomen krijoi një elitë të heshtur, ku pushteti dhe përfitimet trashëgoheshin brenda një rrethi të mbyllur. Edhe pas rënies së sistemit komunist, shpërbërjen e Jugosllavisë, në Maqedoni (RMV), shumë nga këto figura ose trashëgimtarët e tyre mbetën në pozita kyçe në sektorë publikë apo privatë. Nën udhëheqjen e politikanëve, të cilët shpesh trashëguan strukturat e vjetra, mbështetën rrjetet klienteliste dhe përforcuan monopolin e ish-kuadrove në administratë, ekonomi dhe arsim.
Në shumë raste, emrat ndryshuan, por mënyrat mbetën të njëjta – pozitat i ruajtën ata që kishin lidhje me ish-sistemin, ndërsa fëmijët e tyre përfituan nga një rrugë e hapur drejt posteve të larta, duke e shndërruar tranzicionin në një vazhdimësi të privilegjit, jo në një transformim të vërtetë shoqëror. Deri kur do të jetë kjo frymë komunizmi, në Maqedoninë (RMV) “demokratike? Deri kur do të lejojë Evropa, të funksionojë ky sistem në rajonin e Ballkanit?!

