Pasaportat, letërnjoftimet dhe lejet e vozitjes me emrin “Republika e Maqedonisë“, do të vlejnë deri më 12 shkurt 2024. Deri në këtë datë, apo në gjashtë muajt e ardhshëm qytetarët kanë afat që të ndryshojnë dokumentet e tyre personale me emërtimin e ri të shtetit “Republika e Maqedonisë së Veriut”. Bile nëse pas 12 shkurtit edhe më tej do të përdorni patent shoferin e vjetër, mund të gjobiteni nga policia. Për më tepër asnjë institucion nuk do të pranojë dokumentet me emërtimet e vjetra. Ndryshimet vijnë se rrjedhojë e Marrëveshjes së Prespës me Greqinë që është nënshkruar më 17 qershor 2018, dhe që i hapi rrugën vendit që të anëtarësohet në NATO. Në këtë datë skadon afati pesëvjeçar për ndryshimin e dokumenteve personale të përcaktuara nga Marrëveshja e Prespës me Greqinë në vitin 2018.
Gjithashtu, qytetarët pritet të harxhojnë me dhjetëra miliona euro për ndryshimin e dokumenteve të tyre personale që së fundmi edhe janë shtrenjtuar në muajin mars të këtij viti. Tani pasaportat për një të rritur kushtojnë 2300 denarë në vend se 1800 denarë për moshën mbi 27 vjeç. Çmimi i pasaportës për fëmijë deri 4 vjeç mbetet 1600 denarë, ndërsa për moshën prej 4 deri në 18 vjeç është 1700 denarë. Procedura e shpejtë për nxjerrjen e pasaportës kushton 6100 denarë dhe 300 denarë për taksën administrative. Ndryshimi i letërnjoftimit kushton 310 denarë, ndërsa i patentës së vozitjes kushton 520 denarë, i lejes së qarkullimit kushton 250 denarë dhe ndryshimi i targave të veturës kushtonte 1200 denarë për një automjet. Është shtrenjtuar nga 1230 në 1700 denarë edhe nxjerrja e lejes së vozitjes me procedurë të shpejtë. Kjo nënkupton se për një familje katër anëtarëshe, ndryshimi i dokumenteve për dy të rritur do të kushtojë 4600 denarë për pasaportat, 620 denarë për letërnjoftimet, së bashku me 3400 denarë për dy pasaporta për fëmijët, 1040 denarë për dy patenta të shoferit, 250 denarë për lejen e qarkullimit, që në fund sjellë koston prej afër 160 euro./almakos