Gashi: Nëse s’ka marrëveshje për VLEN si parti, Alternativa del nga koalicioni dhe jap dorëheqje

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, ka deklaruar se shpreson në arritjen e një marrëveshjeje për shndërrimin e koalicionit VLEN në parti politike, mbi bazën e parimeve të barazisë dhe vendimmarrjes konsensuale. Në të kundërtën, ai paralajmëroi se Alternativa nuk do të jetë pjesë e koalicionit të ri dhe se do të japë dorëheqje nga posti i kryetarit të Kuvendit, transmeton Sloboden Peçat.

Sipas Gashit, Alternativa nuk pajtohet me propozimin e liderëve të Lëvizjes Besa dhe Lëvizjes Demokratike, Bilall Kasami dhe Izet Mexhiti, që VLEN të transformohet në parti me dy kryetarë dhe me ndarje të përqindjeve 35% për secilën nga partitë e tyre, ndërsa 30% të mbetura të shpërndahen mes Alternativës, fraksionit të Aleancës për Shqiptarët të udhëhequr nga Arben Fetai, “Vetëvendosje” përfaqësuar nga Bekim Qoku dhe Lëvizjes Arbëria.

Edhe fraksioni i Aleancës për Shqiptarët, i udhëhequr nga Fetai, është shprehur kundër modelit të bashkëkryesimit të propozuar. Megjithatë, Gashi mbetet optimist se mund të arrihet një zgjidhje e përbashkët.