Ferhat Polisi: Simbolika fetare në polici dhe rreziku i pabarazisë institucionale
Reflektime – Krahasime
Spërkatja e veturave policore me ujë të bekuar më 07.01.2026 dhe neutraliteti institucional! Përjashtimi simbolik dhe implikimet për barazinë fetare dhe etnike!
Shtetet me përbërje shumetnike dhe shumëfetare përballen vazhdimisht me sfidën e balancimit midis traditës dhe neutralitetit institucional. Çdo veprim simbolik i institucioneve shtetërore bart peshë politike, juridike dhe sociale. Rasti i spërkatjes së automjeteve policore me ujë të bekuar më 07.01.2026 nuk është vetëm çështje e raportit fe–shtet, por edhe e përfaqësimit të barabartë të komuniteteve fetare dhe etnike, veçanërisht të atyre që përbëjnë gjysmën e pjesës të konsiderueshme të popullsisë.
Uji i bekuar në traditën ortodokse ka një funksion ritual dhe simbolik. Megjithatë, kur ky ritual realizohet mbi pronë shtetërore, përfshin institucione të rendit publik dhe zhvillohet në mënyrë zyrtare ose të toleruar institucionalisht, ai kalon nga sfera e praktikës private fetare në sferën e simbolikës shtetërore, duke krijuar perceptimin e afërsisë midis një feje të caktuar dhe shtetit. Neutraliteti fetar nuk nënkupton vetëm mungesën e represionit ndaj fesë, por edhe mosfavorizim aktiv ose pasiv të një komuniteti tjetër.
Në këtë kontekst, lind pyetja thelbësore: A mund të konsiderohet shteti neutral kur një fe e caktuar përfaqësohet simbolikisht në institucionet e tij, ndërsa të tjerat injorohen plotësisht?
Anashkalimi i fesë islame dhe komunitetit shqiptar një element thelbësor i debatit publik ishte mungesa totale e përfaqësimit simbolik të fesë islame, si dhe anashkalimi i komunitetit shqiptar, i cili ka një prani absolute, historike, kulturore dhe institucionale,
dhe kontribuon në mënyrë aktive në strukturat shtetërore, përfshirë policinë.
Besoj se pajtoheni edhe ju se ky përjashtim simbolik krijon ndjenjë pabarazie dhe margjinalizimi, forcon perceptimin e një hierarkie fetare dhe etnike në hapësirën publike,cënon parimin e përfaqësimit gjithëpërfshirës.Nga këndvështrimi akademik, mosprania e një simbolike të ngjashme për komunitetin mysliman nuk është thjesht mungesë organizimi, por problem strukturor i menaxhimit të diversitetit nga institucionet shtetërore.
Nëse rastin e shikojmë nga prizmi i etikës dhe deontologjisë policore, kam bindjen e plotë se etika policore kërkon paanshmëri absolut besim të qytetarëve pa dallim feje apo etnie, shmangie të çdo veprimi që krijon perceptim të njëanshmërisë!
Anashkalimi i fesë islame dhe i shqiptarëve në simbolikën shtetërore rrezikon: thellimin e ndarjeve shoqërore, instrumentalizimin politik të fesë,dobësimin e kohezionit social.
Në një shtet pluralist, respektimi i traditave fetare duhet të shoqërohet me: neutralitet institucional, përfaqësim të drejtë të të gjitha komuniteteve, shmangie të përjashtimit simbolik të grupeve të caktuara, përfshirë fenë islame dhe kombin shqiptar.

