Faton Ahmeti: Besëlidhja Aleanca Kombëtare për Integrim finalizon kandidaturat për zgjedhjet lokale të tetorit

Në prag të zgjedhjeve lokale që do të mbahen në tetor, Besëlidhja Aleanca Kombëtare për Integrim ka publikuar listën pothuajse përfundimtare të kandidatëve të saj për kryetarë komunash dhe për Qytetin e Shkupit. Njoftimi është bërë përmes një publikimi në rrjetin social Facebook nga Sekretari i Përgjithshëm i BDI-së, Faton Ahmeti.

Sipas tij, këto kandidatura përfaqësojnë vizionin e një përfaqësimi të denjë dhe autentik të shqiptarëve në institucionet lokale, duke vënë theksin në unitetin politik të Besëlidhjes.

Lista e kandidatëve të shpallur deri tani është si vijon:

Skender Rexhepi-Zejd – Qyteti i Shkupit
Arsim Dalipi – Strugë
Fatmir Dehari – Kërçovë
Ilirjan Fetahu – Dibër
Skender Isufi – Haraçinë
Suat Shaqiri – Çashkë
Ejup Abazi – Studeniçan
Erkan Arifi – Likovë
Bajram Rexhepi – Tetovë
Valbon Limani – Gostivar
Bujar Osmani – Çair
Nazim Taipi – Tearcë
Blerant Ramadani – Saraj
Emir Sulejmani – Zhelinë
Isen Shabani – Vrapçisht
Enver Pajaziti – Bërvenicë (i mbështetur nga Besëlidhja)

Ahmeti njoftoi se ditët në vijim do të finalizohen edhe kandidaturat e mbetura në mënyrë që koalicioni të paraqitet i kompletuar para qytetarëve në fushatën zgjedhore.

“Bashkë do të fitojmë! Bashkë do t’i themi stop të keqes! Bashkë për dinjitetin shqiptar!”, shkroi ndër të tjera Ahmeti, duke përcjellë mesazhin e mobilizimit të përgjithshëm të shqiptarëve për të përkrahur projektin e përbashkët politik.

Zgjedhjet lokale do të mbahen më 19 tetor, ndërsa raundi i dytë do të zhvillohet më 2 nëntor.