Atentat në Rinas – vritet një person, plagoset një tjetër
Një ngjarje e rëndë kriminale ka ndodhur këtë të martë në Rinas, ku një person ka mbetur i vrarë me armë zjarri, ndërsa një tjetër është plagosur rëndë.
Sipas të dhënave të para, persona ende të paidentifikuar kanë qëlluar me armë zjarri nga një automjet tip “Toyota” me targa greke në drejtim të një makine tjetër. Si pasojë e të shtënave, ka humbur jetën Gilmando Dani, i njohur si një nga anëtarët e grupit të Emiljano Shullazit, ndërsa një tjetër person është dërguar në spital në gjendje të rëndë.
Dyshohet se është qëlluar nga dy automjete, të cilat pas ngjarjes janë larguar në drejtim të Fushë Krujës.
Policia ndodhet në vendngjarje dhe ka ngritur pika kontrolli në disa akse rrugore për të bërë të mundur kapjen e autorëve. Hetimet për zbardhjen e plotë të atentatit vazhdojnë.

