Aksion i gjerë policor: Ish-zyrtarë të Bujqësisë dhe të Rezervave Shtetërore nën hetim për zhdukjen e 2 milionë kg drithë
Departamenti për Luftimin e Krimit të Organizuar në kuadër të MPB-së, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore Publike Shkup, më 25 nëntor realizoi një aksion të koordinuar në Shkup, Kumanovë dhe Tetovë. Bastisjet u kryen në disa objekte ku veprojnë persona zyrtarë të lidhur me Agjencinë për Rezervat Shtetërore të Mallrave, Agro-Bursën, Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, si dhe një ekspert të licencuar të vlerësimit. Të gjithë dyshohen për “keqpërdorim të pozitës dhe autorizimit zyrtar” gjatë viteve 2021–2022.
Sipas hetimeve paraprake, rasti lidhet me zhdukjen nga evidenca të rezervave shtetërore të 1.500.000 kilogramëve grurë dhe 500.000 kilogramëve elb. Me mosveprim të qëllimshëm dhe me nënshkrimin e dokumenteve përkatëse, të dyshuarit dyshohet se kanë mundësuar fshirjen e kësaj sasie drithi nga rezervat, duke shkaktuar dëm rreth 780.000 euro për buxhetin e shtetit.
Në kuadër të aksionit janë ndaluar pesë persona me pozita të ndryshme brenda Agjencisë për Rezervat Shtetërore dhe Agro-Bursës. Ndër ta janë Nimetula Ramadani, Toni Kanturski, si dhe ish-drejtori Resi Abdurahmani. Në mesin e të dyshuarve figuron edhe ish-zëvendësministri i Bujqësisë, Trajan Dimkovski, si dhe eksperti i licencuar Mille Peshevski nga Byroja për Vlerësim në sektorin e bujqësisë.
Të gjithë përballen me akuzën për keqpërdorim të pozitës zyrtare sipas nenit 353 të Kodit Penal, ndërsa për Dimkovskin dhe Peshevskin dyshohet për formë më të rënduar të veprës, sipas paragrafit 4. Hetuesit vlerësojnë se me vendimet e tyre, të dyshuarit kanë cenuar interesin publik dhe sigurinë e rezervave shtetërore të ushqimit – një mekanizëm kyç në periudha krizash globale dhe luhatjesh të çmimeve.
Prokuroria Publike Shkup njofton se bastisjet kanë për qëllim sigurimin e dokumentacionit dhe provave shtesë që do të jenë pjesë e procedurës së mëtejshme hetimore.

