Ahmeti: Kosova ka përgjegjësi për krerët e UÇK-së në Hagë

Podujevë – Kryetari i BDI-së dhe ish-epror i UÇK-së, Ali Ahmeti, deklaroi se Kosova mban përgjegjësi për krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë, duke theksuar se ata “nuk janë njerëz të rëndomtë”.

“Janë njerëz që kanë mbajtur mbi shpatulla përgjegjësi deri në çlirim dhe deri në pavarësi të Kosovës. Lufta jonë ka qenë e drejtë dhe drejtësia duhet të vihet në vend,” tha Ahmeti, pas përurimit të shtatores së Afrim Zhitisë në fshatin Llugë të Podujevës.

Ai akuzoi se procesi në Hagë ka nisur në mënyrë “tendencioze”, duke iu referuar si “përrallë” librit të verdhë, dhe shtoi se akuzat për “ndërmarrje kriminale” janë të pabazuara. “Jam i bindur që e drejta do të fitojë dhe do të dalë në shesh,” tha Ahmeti.

Sa i përket marrëdhënieve me udhëheqjen aktuale në Prishtinë, Ahmeti nënvizoi se gjithmonë ka pasur raporte të mira me institucionet e Kosovës:

“Unë asnjëherë s’kam pasë raport të keq me asnjë institucion, asnjë udhëheqës të Kosovës. Varet nga të tjerët, por unë raportet i kam ndërtuar gjithmonë me institucionet.”