Ademi: Ligji i Karakamishevës është regres i rrezikshëm dhe kthim brutal para vitit 2001

Skandal mbi skandal. Kur mendon se kanë arritur fundin, ata gjejnë mënyrë të bien edhe më poshtë.

I ashtuquajturi Ligj i Karakamishevës hi për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, i hartuar nga VMRO-DPMNE dhe i mbështetur me entuziazëm të pashpjegueshëm nga VLEN, është një akt i pastër regresi politik dhe etnik. Një ligj për ta vajtuar, jo për ta votuar.

Ligji i Karakamishevës për përfaqësim të zhdrejtë:
• nuk parasheh kuota etnike, duke na kthyer hapur në realitetin e para vitit 2001, kur shqiptarët ishin statistikë qesharake – vetëm 0.2% në administratë;
• nuk obligon institucionet që të evidentojnë përkatësinë etnike gjatë punësimeve dhe avancimeve, pra diskriminimi legalizohet;
• nuk përmban asnjë mekanizëm sanksionues, që do të thotë se ligji, edhe po u shkel, mbetet letër pa vlerë.

Na thanë se “balancuesin” do ta avanconin, do ta bënin me ligj – ironikisht, ai tashmë ishte i rregulluar me ligj. Sot, në këtë draft, nuk ekziston asnjë zgjidhje reale që e operacionalizon politikën afirmative të garantuar me Amendamentin VI të Kushtetutës.

E gjithë kjo është kthim brutal pas, para vitit 2001. Pa maska, pa turp.

Cilësia ka qenë kriter para vitit 2001 dhe e dijmë se në emër të cilësisë është realizuar diskriminimi i pashembullt ndaj shqiptarëve. Ashtu na kanë etiketuar, si njerz me bisht, si sharraxhinj, si primitiv, si të paditur. Tash po e bejnë gjithë këtë me këtë ligj të Karakamishevës.

Ky është alarm kombëtar.
Alarm për çdo shqiptar që nuk pranon të shndërrohet sërish në qytetar të dorës së dytë.

Koha është tani që shqiptarët të distancohen qartë dhe publikisht nga kjo politikë e rrezikshme, regresive dhe thellësisht etnocentriste, që po e shkatërron barazinë dhe Marrëveshjen e Ohrit.