A INVESTON RMV MJAFTUESHËM NË MBROJTJEN SOCIALE TË FËMIJËVE?


Shkruan : Prof.dr Arta Selmani

Meqë pretendojmë Evropën, e kohës është që shteti ta kthej pak “kokën” edhe tek fëmijët si pjesë më e rëndësishme dhe ardhmëria e kësaj shoqërie dhe të harmonizojë përkrahjen e fëmijëve me standardet evropiane

Mbrojtja e fëmijëve është veprimtari e organizuar e bazuar në të drejtat e fëmijëve, si dhe në të drejtat dhe obligimet e prindërve për planifikimin e familjes dhe të shtetit dhe të njësive të vetadministrimit lokal për udhëheqjen e politikës populiste humane. Mbrojtja e fëmijëve realizohet përmes sigurimit të kushteve dhe nivelit të standardit jetësor që korrespodon me zhvillimin fizik, mental, emocional, moral dhe social të fëmijëve. Shteti, si dhe njësitë e vetadministrimit lokal kujdesen për dhënien e ndihmës adekuate materiale prindërve për mbajtjen, ngritjen, kujdesin, mbrojtjen e fëmijëve, organizimin si dhe sigurimin e zhvillimit të institucioneve dhe shërbimeve për mbrojtjen e fëmijëve (Ligji për Mbrojtjen e Fëmijëve). 

Fillimisht duhet potencuar faktin që sipas dispozitave të Ligjit për Familjen, prindërit janë të obliguar që të sigurojnë mbajtjen (ushqiminë) e fëmijëve të tyre të mitur. Mbajtja është institut i së drejtës familjare me natyrë personale-pasurore. Mbajtja paraqet obligim të përbashkët të prindërve varësisht prej mundësive të tyre ekonomike. Ndërlidhur me këtë, prindërit janë të obliguar që të sigurojnë kushte materiale për plotësimin e nevojave solide për jetë. 

Mjetet e nevojshme për jetë nënkuptojnë sigurimin e ushqimit, veshmbathjes, edukimit, arsimimit, mjekimit, si edhe kushte të tjera për një zhvillim normal të fëmijës. Ligjvënësi, në mënyrë konkrete nuk e përcakton përmbajtjen dhe mënyrën e mbajtjes së fëmijëve, duke ua lënë këtë prindërve, që varësisht prej mundësive të tyre, të kujdesen për sigurimin e mjeteve për mbajtje. 

Kohëzgjatja a dhënies së mbajtjes është e lidhur me arritjen e moshës madhore të fëmijës, por sipas Ligjit për Familjen, nëse arsimimi ose aftësimi profesional vazhdon pas arritjes së moshës madhore të fëmijës, prindërit janë të obliguar që të sigurojnë mbajtjen e fëmijëve të tyre, deri në arritjen e moshës 26 (njëzetë e gjashtë) vjeçare. Obligimi i prindërve për mbajtje vazhdon edhe në situatat kur fëmija i moshës madhore është i paaftë për punë për shkak të sëmundjes, të metave fizike dhe psiqike, ndërsa nuk ka mjete të mjaftueshme për jetë dhe nuk mund t’i fitojë nga pasuria e vet, në këtë rast prindërit janë të obliguar të sigurojnë mbajtjen derisa zgjatë ajo paaftësi. 

Konventa për të Drejtat e Fëmijës, gjithashtu përcakton të drejtën e fëmijës për një nivel jetëse të nevojshëm për zhvillimin e tij fizik, psiqik, shpirtëror, moral dhe shoqëror, dhe këtë obligim në mënyrë parimore ua përcakton prindërve, të cilët duhet të sigurojnë kushte të nevojshme të jetesës për zhvillimin e fëmijës, brenda kufijve të mundësive dhe mjeteve të tyre financiare. Përderisa prindërit janë në martesë dhe jetojnë në bashkësi janë të obliguar që të mbajnë fëmijëve të tyre. Mirëpo, obligimi i prindërve për mbajtje të fëmijëve vazhdon edhe pas shkurorëzimit të martesës. Pra, funksioni mbrojtës është një nga funksionet më të rëndësishme që duhet fillimisht të sigurohet nga familja. Në shoqërinë bashkëkohore, kujdesi për të moshuarit, të sëmurët dhe për anëtarët e familjes me aftësi të veçanta, nga familja zhvendoset gradualisht në institucionet shtetërore dhe shoqërore me karakter shëndetësor dhe social. Megjithatë, edhe përkundër mbrojtjes së organizuar shëndetësore dhe shoqërore, funksioni mbrojtës i familjes nuk përjashtohet plotësisht. Ajo vjen veçanërisht në shprehje në aspektin e sferës materiale, dhe realizohet nëpërmjet mbajtjes së fëmijëve nga ana e prindërve dhe anasjelltas, si dhe nëpërmjet trashëgimisë, me të cilat manifestohet parimi i solidaritetit dhe ndihmës së ndërsjellë brenda familjes. 

Në suaza të mbrojtjes së fëmijëve, përveç mbrojtjes materiale, është edhe mbrojtja e fëmijëve nga keqpërdorimi, neglizhimi, ofrimi i edukimit dhe arsimimit adekuat, mbrojtja e shëndetit fizik dhe mental, etj, që fillimisht sigruohet nga prindërit /kujdestari por edhe nga institucionet shtetërore. Në kuadër të përkrahjes materiale institucionale si e drejtë e fëmijëve e garantuar me Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijëve, numërohen këto të drejta: 

  • Shtesa për fëmijë: është e drejtë e fëmijës dhe sigurohet si kompensim në para për të mbuluar një pjesë të shpenzimeve gjatë ngritjes dhe zhvillimit të fëmijës. E drejta për shtesë për fëmijë  sigurohet për fëmijë, shtetas të RMV-së, që është në shkollim të rregullt në RMV. Këtë të drejtë mund ta realizojë njëri nga prindërit e fëmijës, kujdestari ose personi të cilit me aktvendim të Qendrës kompetente për pune sociale i është besuar fëmija dhe jeton në familje me të. Shfrytezuësi i shtesës për fëmijë duhet të jetë shtetas i RMV-së me vendbanim të përhershëm në RMV tre vitet e fundit para parashtrimit të kërkesës. Shfrytëzuesi, të drejtën për shtesa për fëmijë mund ta realizojë vetëm sipas një baze. 

Kjo e drejtë ju takon fëmijëve: me status martesorë ose jashtëmartesorë, të adoptuar, si dhe për nipër, vëllezër, motra dhe për fëmijë tjerë të marrë nën përkujdesje. Kjo e drejtë këtyre fëmijëve ju takon edhe në situatat kur: prindërit janë të paafte për punë; jane në vuajtje të dënimit me burg; iu është hequr e drejta prindërore;  prindërit janë në shkollim të rregullt; nëse prindërit edhe fëmijët nuk kane pronë ose të hyra tjera nga të cilat fëmijet mund mbahen; fëmijës i cili është pa përkujdesje prindërore, e që është i vendosur në familje përkujdesëse. Të gjitha procedurat dhe rregullat për zbatimin e kësaj të drejte rregullohen me Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijëve dhe Ligjin për Mbrojtje Sociale.  Sa i përket lartësisë së shtesës për fëmijë e njëjta është e përcaktuar me Ligjin për Mbrojtjen Sociale dhe është e shpallur në web faqen e Ministrisë për punë dhe politikë sociale (https://www.mtsp.gov.mk/prava-od-detska-zashtita-ns_article-detski-dodatok.nspx

Shuma e shtesës për fëmijë  varet nga numri dhe mosha e fëmijëve në familje, edhe atë: 1) nëse në familje ka fëmijë të moshës shkollore në pajtim me ligjin, shuma e shtesës për fëmijë për një fëmijë është 1.000 denarë në muaj, kurse për dy ose më shumë fëmijë në familje është 1.600 denarë për të gjithë fëmijët; 2) nëse në familje ka fëmijë që nuk është i moshës shkollore, lartësia e shtesës për fëmijë për një fëmijë është 1.200 denarë në muaj, kurse për dy ose më tepër fëmijë është 1.900 denarë në muaj për të gjithë fëmijët; 3) nëse në familje ka dy ose më shumë fëmijë, të cilët nuk janë të gjithë të moshës shkollore, lartësia e shtesës për fëmijë për të gjithë fëmijët është 1.600 denarë në muaj. Laartësia shtesës fëmijërore përshtatet me rritjen e shpenzimeve të jetesës për vitin e kaluar, të publikuara nga Enti shtetëror statistikor në janar të vitit të kaluar. Në rast kur nuk ka rritje të shpenzimeve të jetesës për vitin e kaluar, nuk bëhet përshtatja e lartësisë së shtesës për fëmijë. Në linkun në vazhdim është formulari që duhet plotësuar për aplikim për shtesë për fëmijëthttps://mtsp.gov.mk/content/pdf/pravilnicidetska/2021/prilog_1_bdd_gmp.pdf 

  • Shtesa e veçantë: kompensim i caktuar në të holla sigurohet për fëmijë me nevoja të veçanta që ka pengesa në zhvillimin trupor ose mental ose pengesa të kombinuara në zhvillim deri në moshën 26 vjeçare. Të drejtë për shtesë të veçantë ka njëri prej prindërve të fëmijës ose personi të cilit me aktvendim të Qendrës kompetente për pune sociale i është besuar fëmija dhe jeton në familje me të, me vendbanim të përhershëm në RMV, nëse fëmija është shtetas i RMV-së me vendbanim të përhershem në RMV deri në arritjen e moshës 26 vjeçare, nëse i njejtë nuk është nën përkujdesjen institucionale. Këtë të drejtë e ka edhe personi me status të pranuar të refugjatit dhe personi nën mbrojtje subsidiare, që ka fëmijë me pengesa në zhvillim dhe me nevoja të veçanta. Lartësia e shtesës speciale për vitin 2022 ka qenë 5.365 denarë. Vlera e shtesës së veçantë rritet për 50% dhe për vitin 2022 ka qenë 8.047 denarë për prindin e vetëm që ka fëmijë me aftësi të kufizuara deri në 26 vjeç, vlera e shtesës së veçantë rritet për 25% dhe për vitin 2022 ka qenë 6.706 denarë për prindërit materialisht të pasiguruar që janë shfrytëzues të ndihmës minimale të garantuar që kanë fëmijë me aftësi të kufizuara deri në 26 vjet. 
  • Ndihma e njëhershme në para për foshnje të sapolindur: këtë të drejtë mund ta realizojë njëri prej prindërve, shtetas i RMV-së me vendbanim të përhershëm në RMV për fëmijë të lindur në territorin e RMV-së. Lartësia e ndihmës së njëhershme në para për foshnje e parë të sapolindur është 5.000 denarë, ndërkaq pë foshnjën e dytë është 20.000 denarë. Lartësia e ndihmës së njehershme në para për foshnje të sapolindur harmonizohet me rritjen e shpenzimeve për jetese për vitin paraprak të publikuara nga Enti shteteror statistkor, në janar për vitin rrjedhes.Kërkesa bëhet përmes plotësimit të formularit në vijim: https://mtsp.gov.mk/content/pdf/pravilnicidetska/2021/prilog_3_eppn.pdf 
  • Participimi: Varësisht nga gjendja materiale e familjes, sigurohet participim në shpenzimet për përkujdesje dhe edukim dhe pushim dhe rekreacion të fëmijëve në institucion publik për fëmijë. Participimi sigurohet në çmimin e shërbimit për fëmijë që e paguan prindi. Participimi sigurohet nga Buxheti i RMV-së. 
  • Shtesa prindërore për fëmijë të tretë: realizohet nga nëna për fëmijën e sajë të tretë, që ka lindur gjallë. E drejta realizohet nga nëna kur ajo është shtetase e RMV-së me vendbanim të përhershëm në RMV gjatë tre viteve të fundit para parashtrimit të kërkesës. E drejta e shtesës prindërore realizohet nga nëna e cila kujdeset më mënyrë direkte për fëmijën për të cilën ka parashtruar kërkesën, fëmijët e të cilës sipas radhës paraprake të lindjes nuk janë të vendosur në institucione për mbrojtje sociale, familje kujdestare ose nuk janë dhënë për adoptim, si dhe të cilës nuk i është hequr e drejta prindërore. Shtesa prindërore për fëmijën e tretë paguhet në muaj, për një periudhë dhjetëvjeçare. Shuma e së drejtës për vitin 2022 ka qenë në vlerë prej 8.472,00 denarë (informata më të detajuara për realizimin e kësaj të drejte janë të përcaktuara në Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijëve si dhe gjenden në linkun e Ministrisë për punë dhe politikë sociale https://www.mtsp.gov.mk/prava-od-detska-zashtita-ns_article-roditelski-dodatok-za-dete.nspx), Duhet theksuar faktin që e drejta e fituar për shtesë prindërore për fëmijë (për fëmijën e tretë dhe të katërt) vazhdon deri në përfundimin e periudhës së shfrytëzimit të së drejtës së realizuar, respektivisht të vazhduar të shtesës prindërore për fëmijë (për fëmijën e tretë deri në përfundimin e periudhës 10 vjeçare), kurse për fëmijën e katërt deri në përfundimin e periudhës 15 vjeçare).

Dua të potencoj që, ndihma materiale institucionale nuk i përfshin të gjithë fëmijët, pra nuk është e drejtë e përgjithëshme e fëmijëve. Këtë të drejtë mund ta realizojnë vetëm fëmijët, prindërit e të cilëve kanë të hyra mujore të ulta (minimale) të përcaktuara me ligj. Do të ishte e dobishme që ligjvënësi të parashikojë ndihmë materiale për të gjithë fëmijët varësisht se prindërit a janë të punësuar ose jo, por që përllogaritja e lartësisë së ndihmës materiale (shtesës fëmijërore) të bëhet varësisht prej të hyrave mujore të cilat i realizojnë prindërit. Kjo është situatë në të gjitha shtetet e zhvilluara e të cilat ju sigurojnë fëmijëve të hyra mujore si një lloj mase mbrojtjeje si dhe përkrahje financiare. Meqë pretendojmë Evropën, e kohës është që shteti ta kthej pak “kokën” edhe tek fëmijët si pjesë më e rëndësishme dhe ardhmëria e kësaj shoqërie dhe të harmonizojë përkrahjen e fëmijëve me standardet evropiane. Problemi i rradhës është tek procedurat burokratike që prindërit duhet të ndjekin për të fituar këtë “lëmoshë” për fëmijët e tyre. Institucion që paraqet urë lidhëse midis prindërve dhe shtetit, për realizimin e këtyre beneficioneve materiale janë Qendra për punë sociale, të cilat janë të stërngarkuara me shumë procedura andaj edhe janë shumë pak të qasshme me njoftimet e tyre tek grupet e magjinalizuara si dhe në vendet rurale për të ndihmuar në realizimin e këtyre të drejtave të fëmijëve.

Autorja është pjesë e stafit të Fakultetit juridik- Universiteti i Evropës Juglindore

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *