A duhet të jenë më të ashpra sanksionet amerikane për personat e “listës së zezë”?

Tek një pjesë e opinionit në Maqedoninë e Veriut ekziston përshtypja se duhet të ashpërsohen edhe më tepër masat e Stejt Departamentit amerikan për personat e “Listës së zezë”, sepse si duket masat aktuale nuk po u bëjnë shumë përshtypje personave “non grata”, e as që po tregojnë ndonjë shqetësim në opinion pasi janë bë pjesë e kësaj liste.

Zhurnal ka pyetur disa nga njohësit e mirëfilltë të rrethanave në Maqedoninë e Veriut lidhur me këto vlerësime. Ata mendojnë se masat e Stejt Departamentit duhet të shfrytëzohen si bazë e mirë për të vepruar institucionet vendore kompetente.
Sipas analistit Ibrahim Mehmeti, vendimet e SHBA-së po tregojnë veç tjerash se sa thellë është infiltruar korrupsioni në Maqedoninë e Veriut, prandaj edhe lufta kundër korrupsionit është tejet e vështirë.

“Unë mendoj se shpallja e personave “non grata”, krahas asaj që tenton t’i mbroje interesat e ShBA-ve, ka për qellim inkurajimin e institucioneve vendase që më guximshëm të kyçen në luften kundër korrupsionit. Në rastin e Maqedonisë, nga periudha e tri dekadave të pluralizmit duket qartë se korrupsioni është infiltruar në të gjitha nivelet e pushtetit por edhe më gjërë në shoqëri dhe duke i pasur parasysh lidhjet shoqërore dhe politike ndërmjet aktorëve të ndryshëm, lufta kundër korrupsionit rezulton edhe më e vështirë”, thotë Mehmeti për Zhurnal.

Sipas tij, dukuri shqetësuese është se zhvillimet e fundit po nxjerrin në shesh edhe një fatkt shqetësues se kontrolli civil i institicioneve thuajse nuk ekziston.

“Andaj, kjo praktikë e Shteteve të Bashkuara duhet shfrytëzuar për t’ju bërë presion institucioneve shtetërore që këtë e kanë mandat, të jenë më të guximshme në luftën kundër keqpërdorimeve të ndryshme”, thekson Mehmeti.

Profesori universitar, Bashkim Selmani, konideron se “Lista e Zezë” ka dimenzionin moral dhe psikologjik, por që nxjerr në sipërfaqe edhe dobësitë e sistemit gjyqësor në vendin tonë.

“Shikuar në prizmin e politikës dhe masave sanksionuese, ky lloj dënimi është sanksion moral që shpreh atë që nuk mund ta bëjë një gjyqësi e tërë. Për nga aspekti psikologjik masiv arrihet qëllimi, ndërsa për nga këndvështrimi juridiko-penal janë organet e prokurorisë dhe ato gjyqësore që kanë detyrim legjislativ të ndërmarrin dhe hapin procedura paraprake- prejudiciare nga provat publike!”, thekson Selmani në deklaratën e tij për Zhurnal.

Lidhur me këtë temë sot ka folur edhe ambasadorja amerikane në Shkup, Angela Aggeler, duke porositur në mënyrë të qartë se korrupsioni në vendin tonë nuk guxon të mos hetohet dhe ndëshkohet.

“Ne punojmë me institucionet këtu që rastet e tilla të marrin formë dhe zhvillohen. Si dhe nëse ndonjëherë ata vendosin të ndërmarrin hapa, u takon autoriteteve këtu. Këta njerëz kanë lënduar qytetarët e këtij vendi. Aktivitetet korruptive kanë dëmtuar qytetarët e këtij vendi. Është dëshirë e imja që ju dhe gazetarët nga Amerika pse jo t’i ndiqni këto raste dhe të parashtroni pyetje të vështira ndaj atyre që janë autoritet këtu. Ne nuk do të vijmë dhe të arrestojmë dikë në Maqedoni të Veriut apo të hapim ndonjë rast ilegal. Por duket se po bëhet interesant në drejtim të asaj se çfarë hapa do të ndërmarrin autoritetet vendase”, tha Aggeler.

Ajo poashtu ka bë të qartë se SHBA-të nuk do heqin dorë, duke rikujtuar se ekipi special i anti-korrupsionit nuk ka mbaruar misionin në Maqedoni të Veriut. Sipas saj, varësisht nevojës dhe vlerësimeve që ka administrata amerikane, ekipi do të viziton Shkupin dhe mbledh dëshmi të mjaftueshme materiale të nevojshme që Uashingtoni të ndërmerr hapa konkret. /Zhurnal

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *