Ahmeti: Propozim-ligji për përfaqësim të drejtë është antishqiptar, Fronti Evropian nuk do ta votojë
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, e ka cilësuar si antishqiptar propozim-ligjin për përfaqësim të drejtë, i cili është dorëzuar nga Qeveria në Kuvend. Në një intervistë, ai tha se drafti nuk garanton përfaqësim të drejtë të shqiptarëve në institucionet publike dhe bie ndesh me parimet e Marrëveshjes së Ohrit.
Ahmeti bëri të ditur se deputetët e Frontit Evropian nuk do ta mbështesin këtë version të ligjit, ndërsa paralajmëroi se do të propozojnë amendamente për ndryshimin e tij.
“Ligjet që propozohen janë antishqiptare dhe janë kundër Marrëveshjes së Ohrit. Ligji për arsim është ligj kundër arsimimit të shqiptarëve në arsimin e lartë. Ligji për përfaqësim të drejtë është kundër shqiptarëve, nuk parashihet as etnia e as sanksionet për ata që nuk e zbatojnë parimin e përfaqësimit të drejtë. Është një flluskë sapuni dhe mbetet në vullnetin e palës shumicë, sikurse në të kaluarën. Na duhen për dekor shqiptarët”, deklaroi Ahmeti.

