Richard Grenell viziton Shkupin, publikon video panoramike nga ndërtesa “Adora Flatiron”

Richard Grenell, i dërguari special i presidentit amerikan Donald Trump për misione të posaçme, ka publikuar në llogarinë e tij në Instagram një video panoramike të Shkupit, e realizuar nga katet e sipërme të ndërtesës “Adora Flatiron” në lagjen Kisella Vodë.

Në përshkrimin e videos, Grenell shkroi: “Shkupi, Maqedonia, është një qytet i bukur”, duke konfirmuar kështu praninë e tij në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut.

Sipas pamjeve të publikuara, videoja është xhiruar nga ballkoni i kompleksit banesor dhe afarist “Adora Flatiron”, prej nga ofrohet një pamje panoramike e një pjese të madhe të qytetit.

Ndërkohë, burime nga Qeveria konfirmuan për “360 Stepeni” se gjatë qëndrimit në Shkup, Grenell zhvilloi një takim privat me kryeministrin Hristijan Mickoski dhe ministrin e Punëve të Jashtme, Timço Mucunski. Detaje mbi temat e diskutimit nuk janë bërë publike.