Mickoski: Ulet TVSH-ja për karburantet për të frenuar rritjen e çmimeve
Kryeministri Hristijan Mickoski ka paralajmëruar masa konkrete për zbutjen e rritjes së çmimeve të karburanteve, pas trendit në rritje në tregjet botërore.
Sipas vlerësimeve, benzina EUROSUPER 95 dhe 98 mund të shtrenjtohen deri në 6,5 denarë për litër, ndërsa dizeli deri në 10,5 denarë, çka do të sillte çmime prej rreth 93–95 denarë për benzinën dhe mbi 100 denarë për dizelin.
Si përgjigje, Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka vendosur uljen e TVSH-së për benzinën dhe dizelin nga 18% në 10%, me qëllim zbutjen e ndikimit te qytetarët.
Sipas Mickoskit, kjo masë pritet të mbajë pothuajse të pandryshuar çmimin e benzinës, ndërsa rritja e dizelit të kufizohet në rreth 3–3,5 denarë për litër, në vend të rritjes së parashikuar mbi 10 denarë.
Paralelisht, qeveria po zhvillon bisedime me OKTA për rritjen e zbritjeve ndaj tregtarëve, çka mund të ulë çmimet edhe më tej – deri në 3 denarë nën nivelin maksimal të përcaktuar nga Komisioni Rregullator për Energjetikë.
Sipas përllogaritjeve, masat pritet të sjellin kursime prej rreth 200 mijë euro në ditë për qytetarët, ose rreth 1,5 milion euro në javë. Kryeministri theksoi se qëllimi është mbrojtja e standardit të jetesës në kushtet e krizës globale energjetike.

