ASH miraton konceptin “Aleanca e Re”, Arben Fetai autorizohet për negociata brenda VLEN-it

Strukturat e ASH-së brenda koalicionit VLEN, përfshirë Këshillin Koordinues, koordinatorët e degëve, funksionarët dhe mandatarët e zgjedhur, mbajtën mbledhjen për Kuvendin themelues, ku në fokus ishin zhvillimet e fundit politike në vend dhe nevoja për riorganizim strategjik.

Gjatë diskutimeve u theksua domosdoshmëria e avancimit të veprimit politik me qëllim forcimin dhe konsolidimin e përfaqësimit të shqiptarëve në Maqedonia e Veriut. Në këtë kuadër, Kuvendi miratoi konceptin “Aleanca e Re”, i cilësuar si një hap strategjik drejt një strukturimi më të fuqishëm dhe më të unifikuar politik.

Sa i përket riorganizimit të brendshëm, u vendos pezullimi i menjëhershëm i funksionimit të të gjitha organeve aktuale deri në një vendim të ri, si dhe shpallja e një moratoriumi të përkohshëm për të gjitha aktivitetet partiake.

Me shumicë votash, Kuvendi autorizoi kryetarin Arben Fetai që të zhvillojë negociatat e mëtejshme në kuadër të lidershipit të VLEN-it, me synim themelimin e VLEN-it si parti politike, në përputhje me vlerat dhe parimet e dakorduara deri më tani.

Vendimet e marra pritet të ndikojnë në rikonfigurimin e skenës politike shqiptare në vend, ndërsa negociatat e ardhshme do të përcaktojnë drejtimin e ri organizativ dhe politik të koalicionit.