Mickoski: Takimi me Ahmetin do të zhvillohet në kuadër të kontakteve të rregullta politike
Kryeministri Hristijan Mickoski nuk ka dhënë një afat konkret se kur do të zhvillohet takimi mes tij dhe liderit të BDI-së, Ali Ahmeti, i paralajmëruar pas takimit të fundit të liderëve.
Duke komentuar këtë çështje, Mickoski tha se takimet me liderët politikë janë pjesë e funksionimit të tij të rregullt politik dhe se në këtë kuadër pritet të realizohet edhe takimi me Ahmetin.
“Unë në funksionimin tim të rregullt politik takohem me të gjithë liderët e partive politike, kështu që në kuadër të atyre takimeve supozoj se do të takohem edhe me zotëri Ahmetin”, deklaroi kryeministri.
Ai bëri të ditur gjithashtu se sot është mbajtur një takim mes grupeve parlamentare të VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së lidhur me Ligjin për kundërvajtje, për të cilin Ahmeti kishte kërkuar sqarime shtesë. Sipas Mickoskit, disa paqartësi janë sqaruar dhe pret që ligji të miratohet në seancën e ardhshme parlamentare, në mënyrë që projekti “Qyteti i Sigurt” të nisë zbatimin pa probleme nga 1 shkurti, raporton SHENJA.

