Inspektime te gjinekologët privatë: 23 institucione me parregullsi, gjoba për shërbime të paligjshme dhe mungesë faturash
Drejtori i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore (FSSH), Sasho Klekovski, bëri të ditur se në bashkëpunim me Zyrën e të Ardhurave Publike (DAP) janë inspektuar 49 institucione private gjinekologjike, pas ankesave të shumta nga pacientët. Ky është inspektimi i parë i këtij lloji që nga viti 2012.
Gjatë kontrolleve, në 23 praktika gjinekologjike janë konstatuar parregullsi, për të cilat janë shqiptuar masa ndëshkuese. Sipas Klekovskit, shkelja më e shpeshtë ka qenë tarifimi i shërbimeve që sipas kontratës me Fondin duhet të ofrohen falas për personat e siguruar shëndetësor. Kjo parregullsi është evidentuar në tetë institucione, ndërsa në pesë të tjera është konstatuar mosmbajtja e rregullt e evidencave.
Ai theksoi se qëllimi kryesor i aksionit ishte verifikimi i respektimit të obligimeve kontraktuale për shërbime si ekzaminimet citologjike dhe mikrobiologjike, ECHO, kolposkopia, testi PAP dhe shërbime të tjera që nuk duhet t’u faturohen pacientëve.
Nga ana e DAP-it, janë zbuluar 20 praktika gjinekologjike që nuk lëshonin fatura fiskale. Drejtoresha e DAP-it, Elena Petrova, u bëri thirrje pacientëve që gjithmonë të kërkojnë faturë fiskale për shërbimet e marra. Për të gjitha shkeljet e konstatuara janë shqiptuar gjoba dhe sanksione përkatëse.
Kontrollet janë realizuar në disa qytete të vendit, përfshirë Shkupin, Manastirin, Prilepin, Tetovën, Shtipin dhe Strumicën.

