Aksident tragjik në autostradën Beograd–Nish, humbin jetën dy shtetas të Maqedonisë së Veriut
Dy shtetas të Maqedonisë së Veriut kanë humbur jetën si pasojë e një aksidenti të rëndë trafiku që ndodhi në orët e hershme të mëngjesit në autostradën Beograd–Nish, në territorin e Serbisë. Sipas mediave serbe, automjeti me të cilin po udhëtonin ka dalë nga rruga pranë daljes së Umçarit.
Bëhet fjalë për një veturë të markës “Seat” me targa gjermane, e cila, për arsye ende të panjohura, ka humbur kontrollin dhe është përplasur jashtë rrugës. Nga automjeti janë nxjerrë trupat e pajetë të një burri dhe një gruaje, të cilët u konfirmuan se ishin shtetas të Maqedonisë së Veriut.
Në veturë ndodhej edhe një pasagjer tjetër, i cili ka mbijetuar aksidentin, por ka pësuar lëndime të rënda trupore dhe është dërguar me urgjencë në spital për trajtim mjekësor. Hetimet për shkaqet e aksidentit janë duke vazhduar.

