Halili kritikon Kongresin e BDI-së: Avancime pa meritë në pozita kyçe
Reagimet ndaj Kongresit të BDI-së po vazhdojnë edhe pas përfundimit të tij. Ish-zëvendëskryeministri dhe funksionari i lartë i BDI-së, Festim Halili, ka shprehur kritika të ashpra ndaj vendimeve të marra dhe përbërjes së re të strukturave partiake.
Në reagimin e tij, Halili ka vënë në pikëpyetje kriteret e përzgjedhjes së kuadrove të rinj, duke theksuar se disa persona janë avancuar në pozita kyçe në Tetovë pa pasur peshë meritokratike apo kontribut të mjaftueshëm politik dhe institucional. Sipas tij, këto vendime rrezikojnë seriozitetin e reformës së paralajmëruar dhe dëmtojnë besimin e anëtarësisë.
Halili thekson se rinovimi i partisë duhet të bazohet në meritë, përvojë dhe përgjegjësi politike, e jo në emërime formale që nuk reflektojnë realitetin dhe nevojat e strukturës në terren.
Me rastin e Kongresit të V-të të BDI-së, uroj mandatin e ri të Kryetarit z. Ali Ahmeti, me shpresën që ky mandat të shërbejë si moment reflektimi i thellë politik dhe moral për rrugën e mëtejme të organizimit dhe përfaqësimit. Kongreset nuk janë vetëm rituale formale të vazhdimësisë, por edhe pasqyra ku duhet parë me ndershmëri kontributi real i individëve dhe drejtësia e përzgjedhjeve. Për vite me radhë, shumë figura që kanë dhënë kontribut të prekshëm intelektual, institucional dhe shoqëror janë përballur me obstruksione të heshtura dhe janë lënë jashtë proceseve vendimmarrëse, ndërkohë që persona pa peshë meritokratike janë avancuar në pozita kyçe, veçanërisht në Tetovë, duke ju besuar çdo pozitë dhe duke shkelur mbi mundin e përkrahësëve, misionarëve e aktivistëve të denjë, e për më tepër, asnjë llogaridhënie për humbjen në 4 cikle zgjedhore rradhazi. Një parti që synon të mbetet relevante dhe e besueshme duhet të rikthejë meritokracinë si parim themelor, të dëgjojë zërat kritikë nga brenda dhe të krijojë hapësirë për ata që kanë dëshmuar me vepra, jo me servilizëm. Vetëm përmes këtij korrigjimi të brendshëm mund të forcohet besimi publik dhe të ndërtohet një vizion politik që i shërben vërtet shoqërisë”, ka shkruar Halili.

