Arrestohet ish-drejtori i Librave Amë, Bujar Dardhishta, në aksion të madh kundër krimit të organizuar
Ish-drejtori i Drejtorisë së Librave Amë dhe funksionar i lartë i BDI-së, Bujar Dardhishta, është arrestuar gjatë një aksioni të gjerë policor të zhvilluar gjatë natës, nën dyshimet për përfshirje në pastrim parash dhe krim ekonomik. Sipas burimeve zyrtare, operacioni është realizuar nga Departamenti për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe të Rëndë pranë Byrosë së Sigurisë Publike, nën koordinimin e Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.
Gjatë aksionit, i cili u zhvillua nga nata e 17 deri në orët e para të 18 dhjetorit 2025, policia ka arrestuar mbi dhjetë persona dhe ka kryer bastisje në disa lokacione në Shkup dhe Kumanovë, me autorizim gjyqësor. Hetimet synojnë zbërthimin e një rrjeti të organizuar kriminal të dyshuar për korrupsion dhe veprimtari të paligjshme financiare.
Autoritetet kanë konfirmuar se kontrollet po vazhdojnë edhe në dy kompani në Shkup dhe Kumanovë, të cilat dyshohet se janë të lidhura me personat e përfshirë në këtë çështje. Informacione shtesë priten pas përfundimit të veprimeve hetimore.

