Ali Ahmeti në protestën në Shkup: Falënderon SHBA-në, NATO-n dhe Evropën për mbështetjen ndaj UÇK-së

Kryetari i BDI-së dhe një nga themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ali Ahmeti, mori pjesë në tubimin protestues të organizuar në Shkup nga Organizata e Veteranëve, ku u shpreh mbështetje për ish-udhëheqësit e UÇK-së që po përballen me proces gjyqësor në Hagë.

Në fjalimin e tij para protestuesve, Ahmeti shprehu mirënjohje ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Evropës dhe NATO-s për rolin dhe mbështetjen e dhënë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke theksuar se kjo mbështetje ishte vendimtare në ndalimin e gjenocidit ndaj popullit të Kosovës.

Ai theksoi se tubimi u mbajt në sheshin “Skënderbe”, të cilin e cilësoi si hapësirë historike me rëndësi për kufijtë e Evropës dhe kujtesën kolektive shqiptare. Ahmeti përmendi figura të shquara të historisë kombëtare, si Hasan Prishtina, Pjetër Bogdani dhe Nexhat Agolli, duke vënë në pah sakrificën e tyre për liri, dije dhe drejtësi.

“Amerikë, NATO dhe Evropë, faleminderit që keni mbështetur filozofinë dhe veprimtarinë e figurave më të mëdha të kombit tonë përmes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke ndalur gjenocidin ndaj popullit të saj”, deklaroi Ahmeti në përmbyllje të fjalës së tij.