Bardhyl Mahmuti kritikon udhëheqësit shqiptarë për mosshpalljen e ditës së zisë pas vdekjes së Shpat Kasapit

Veprimtari i çështjes kombëtare shqiptare dhe ish-përfaqësuesi politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Bardhyl Mahmuti, ka kritikuar ashpër udhëheqësit politikë shqiptarë të Tetovës për mungesë reagimi zyrtar ndaj vdekjes së këngëtarit Shpat Kasapi.

Mahmuti kujtoi se pas vdekjes së këngëtarit maqedonas Todor Proeski në vitin 2007, Qeveria e Maqedonisë së atëhershme shpalli një ditë zie kombëtare, ndërsa qyteti i Krushevës shpalli tre ditë zie. Sipas tij, një trajtim i tillë nuk u bë për këngëtarin shqiptar më të popullarizuar në Maqedoninë e Veriut.

“Në rastin e Shpat Kasapit, i cili ndërroi jetë më 26 nëntor 2025 në Itali, autoritetet qendrore dhe lokale kishin katër ditë në dispozicion për të shpallur zyrtarisht ditë zie, pasi procedurat e transferimit të trupit zgjatën. Për turp, as qeveria dhe as pushteti lokal nuk e respektuan dhimbjen dhe pikëllimin e shqiptarëve”, shkroi Mahmuti në Facebook.

Ai theksoi se, pavarësisht mungesës së reagimit institucional, mesazhet e panumërta të ngushëllimit që kanë ardhur nga mbarë bota përbëjnë një ngushëllim të madh për familjen.

“Shpat Kasapi ishte një yll, dhe drita e tij do të vazhdojë të shkëlqejë edhe për shumë shekuj”, u shpreh Mahmuti.