Helmim masiv në shkollën ‘Dimo Haxhi Dimov’: Dhjetëra fëmijë me simptoma të rënda, kuzhina mbyllet për hetime
Një rast i rëndë helmimi masiv ka ndodhur në shkollën fillore “Dimo Haxhi Dimov” në Komunën Karposh, ku të paktën 40 nxënës të ciklit të ulët kanë shfaqur simptoma si dhimbje të forta stomaku dhe të përziera. Prindër të tjerë raportojnë se numri real mund të arrijë deri në 80 fëmijë, ndërsa disa prej tyre janë dërguar për trajtim mjekësor.
Drejtoresha e shkollës, Lejla Nikoloska, ka konfirmuar se nxënësit dje kanë konsumuar për mëngjes drithëra me qumësht dhe për drekë musakë, e cila është përgatitur nga kompania “Vanilla Food”. Ajo shton se simptomat janë shfaqur pasi fëmijët janë kthyer në shtëpi.
Megjithatë, një pjesë e prindërve dyshojnë se burimi i helmimit mund të jetë edhe uji i shkollës, pasi raste të ngjashme janë regjistruar edhe te nxënësit e klasave të 7-ta dhe të 8-ta, të cilët nuk ushqehen në kuzhinën e shkollës.
AUV, së bashku me Inspektoratin Shëndetësor dhe Sanitar, Qendrën e Shëndetit Publik dhe Institutin e Shëndetit Publik, kanë ndërmarrë kontrolle të jashtëzakonshme. Kuzhina është mbyllur përkohësisht, ndërsa janë marrë mostra nga ushqimi, sipërfaqet e punës dhe pajisjet. Paralelisht do të zhvillohet edhe një anketë epidemiologjike, sipas protokolleve kombëtare.
Mikrobiologu Nikolla Panovski vlerëson se më e mundshme është që helmimi të ketë ardhur nga mishi në musakë, pasi qumështi rrallë shkakton helmim masiv në një numër kaq të madh fëmijësh. Ai shton se nuk bëhet fjalë për salmonelë, sepse simptomat e kësaj bakterie zakonisht shfaqen 2–3 ditë pas konsumimit të ushqimit, e jo brenda së njëjtës ditë.
Hetimet vijojnë, ndërsa prindërit kërkojnë transparencë dhe përgjegjësi të plotë për këtë incident shqetësues.

