Tragjedi në Tetovë: 42-vjeçari gjendet i qëlluar me armë brenda makinës

Më 24.11.2025, rreth orës 02:00, një 33-vjeçare nga Tetova ka raportuar në SPB Tetovë se bashkëshorti i saj, A.B. (42), ishte larguar nga shtëpia rreth orës 18:00 me një automjet “Audi” me targa të Tetovës dhe nuk përgjigjej në thirrjet telefonike.

Pas raportimit, policia ka ndërmarrë menjëherë veprime për gjetjen e tij. Sot, rreth orës 16:15, zyrtarët e Departamentit Policor të Tearcës kanë vërejtur një automjet të parkuar “Audi Q5” me targa të Tetovës në arat e fshatit Nerashtë. Brenda mjetit është gjetur një person i gjinisë mashkullore pa shenja jete, ndërsa në xhamin anësor të shoferit është vërejtur një vrimë e shkaktuar nga plumbi.

Personi ishte me gjak në pjesën e kokës, dhe dyshimet e para janë se ai është qëlluar me armë zjarri. Mjeku i emergjencës ka konstatuar vdekjen në vendngjarje.

Në terren ndodhet Prokurori Publik dhe ekipi i ekspertizës së SPB Tetovë, të cilët po kryejnë hetimet. Është konfirmuar se viktima është A.B. nga Tetova.