Çift bashkëshortor nga Shkupi denoncon njëri-tjetrin për dhunë në familje
Ministria e Punëve të Brendshme njofton se një çift bashkëshortor nga Shkupi ka paraqitur kallëzime të ndërsjella për dhunë gjatë ditës së djeshme, transmeton TV21. Fillimisht, në orët e ditës ka raportuar gruaja 35-vjeçare, ndërsa më vonë në mbrëmje ka paraqitur kallëzim edhe burri 45-vjeçar.
“Sipas raportimit të marrë më 22.11.2025, rreth orës 13:00 në SPB Shkup, një grua 35-vjeçare nga Kisella Voda ka deklaruar se pas një konflikti verbal në shtëpinë familjare, është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj 45-vjeçar, i cili, sipas saj, i ka marrë edhe telefonin celular. Ndërkohë, rreth orës 20:30, bashkëshorti 45-vjeçar ka raportuar se rreth orës 13:00 është sulmuar fizikisht nga bashkëshortja e tij. Po ndërmerren masa për zbardhjen e plotë të rastit”, njofton MPB.

