Ziadin Sela paralajmëron zhvillime të reja në koalicionin AKI: ASH duhet të rirregullohet dhe t’i kthehet opozitës
Ziadin Sela ka deklaruar se shumë shpejt priten zhvillime të reja sa i përket koalicionit AKI. Ai theksoi se Aleanca për Shqiptarët duhet të rirregullohet, të fokusohet tek vetja dhe të veprojë si opozitë, duke mbrojtur interesat e saj politike.
Sela u shpreh se koalicioni i deritanishëm do të lihet i lirë për të vepruar sipas interesave të veta, ndërsa çështjet e brendshme do të diskutohen në ditët në vijim në strukturat partiake.
“Priten risi në këtë drejtim. Vlerësoj se ASH duhet të rirregullohet aty ku duhet. ASH duhet të merret me vetveten, të bëjë opozitën, të mbrojë interesat e veta. Do t’i mundësojmë koalicionit të deridjeshëm të jenë të lirë. Në ditët në vazhdim do të diskutohen këto tema brenda partisë”, tha Sela.
Ai rikujtoi se është pjesë e Frontit Evropian, ndërsa koalicioni AKI ka qenë një marrëveshje e përkohshme e ndërtuar vetëm për zgjedhjet lokale.
“Koalicioni AKI ishte koalicion i zgjedhjeve lokale. Është pak e koklavitur puna”, potencoi Sela, duke pranuar se situata aktuale është komplekse.

