Gjest i rrallë në Shkup: Pronari i “Baking Bread” i dhuron makinë punonjësit të tij besnik

Mishe Cvejevski, pronari i rrjetit të njohur të fast food-it Baking Bread nga Shkupi, ka bërë një gjest të veçantë ndaj punonjësit të tij, Antonit, i cili ka qenë pjesë e kompanisë që nga fillimet e saj.

Si shenjë mirënjohjeje për besnikërinë dhe përkushtimin e tij ndër vite, Cvejevski i ka dhuruar Antonit një makinë.

“Ai rrezikonte bashkë me mua kur ishte më e vështira. Kurrë nuk më ka thënë ‘jo’, as nuk më ka refuzuar për asgjë. Kurrë nuk kërkoi asgjë, por dha gjithçka për kompaninë. Kjo nuk është dhuratë, kjo është merita jote personale. Është falënderimi im për të gjitha vitet e besnikërisë dhe punës në Baking Bread,” – tha Cvejevski, mes tjerash.

Ky veprim është pritur me shumë pozitivitet në rrjetet sociale, ku shumë qytetarë e kanë vlerësuar si shembull frymëzues të respektit ndaj punonjësve dhe vlerësimit të përkushtimit profesional.