Njëri nga të dënuarit për aksidentin e Llaskarcës nuk është paraqitur për të vuajtur dënimin
Njëri nga të dënuarit kryesorë për aksidentin tragjik në Llaskarcë, ku më 13 shkurt 2019 humbën jetën 16 persona dhe u plagosën 38 të tjerë, Remzi Miftari, nuk është paraqitur për të vuajtur dënimin në burgun “Idrizovë”, transmeton Portalb.mk.
Sipas drejtuesit të INP “Idrizovë”, Zoran Jovanovski, më 7 nëntor 2025, është njoftuar gjykata për mosparaqitjen ligjore të të dënuarit. Në rast se gjykata e Gostivarit konfirmon njoftimin, do të ndiqet procedura për transferimin me forcë të Miftarit në burg.
Remzi Miftari dhe pronari i kompanisë “Durmo Tours”, Durmish Beluli, të dy me dënime prej 10 vjetësh, kanë shtyrë hyrjen në burg për një kohë të gjatë. Të dy iu nënshtruan një operacioni për hernie testikulare në të njëjtën kohë, ndërsa pezullimet e tyre për dënimet përfunduan së fundmi.
Vendimet përfundimtare për dënimin e tyre u morën më 9 maj 2025, kur Gjykata e Apelit e Shkupit dyfishoi dënimin e Belulit nga 4 në 10 vjet dhe të Miftarit nga 6 në 10 vjet burg.
Kujtojmë se aksidenti ndodhi në autostradën Shkup – Tetovë, kur autobusi i “Durmo Tours” i linjës së rregullt Shkup-Gostivar doli nga rruga, duke shkaktuar tragjedi dhe plagosje masive. Pas më shumë se 150 seancave gjyqësore dhe pothuaj pesë vitesh, të afërmit e viktimave kanë shprehur dyshimin se çështja është zvarritur qëllimisht nga procedurat.

