Takim vendimtar mes VLEN dhe Mickoskit për ndarjen e resorëve, pritet rikonstruktim i qeverisë në fillim të vitit 2026
Sot pritet të zhvillohet takimi vendimtar mes përfaqësuesve të koalicionit shqiptar VLEN dhe kryeministrit Hristijan Mickoski, ku në qendër të diskutimeve do të jetë ndarja e resorëve qeveritarë dhe struktura e ardhshme e ekzekutivit, pas zgjedhjeve lokale që lanë disa poste ministrore vakante, raporton INA.
Sipas burimeve brenda koalicionit, VLEN synon të forcojë pozicionin e vet në raport me marrëveshjet fillestare, duke theksuar se rezultatet zgjedhore i japin legjitimitet për një pjesëmarrje më të gjerë dhe me peshë në qeveri.
Në takim pritet që përfaqësuesit e VLEN-it të kërkojnë më shumë poste ministrore dhe kontroll mbi sektorë strategjikë, përmes të cilëve koalicioni do të mund të realizojë programin e vet politik dhe premtimet ndaj qytetarëve.
Ky takim shihet si test i parë serioz për kohezionin e koalicionit qeveritar, ku mbetet të shihet nëse Mickoski do të pranojë kërkesat e partnerëve apo do të ndjekë një strategji të zvarritjes së procesit të rikonstruimit të qeverisë, që pritet në fillim të vitit 2026, periudhë kur po qarkullojnë edhe spekulime për zgjedhje të parakohshme.
Ndërkohë, burime jozyrtare brenda qeverisë konfirmojnë për INA-n se pas arritjes së marrëveshjeve politike, pritet rikonstruktim më i gjerë i kabinetit qeveritar.
Sipas informatave të publikuara nga TV21, pritet të ketë ndryshime në disa poste ministrore, si nga radhët e VMRO-DPMNE-së, ashtu edhe nga koalicioni VLEN.
Ndër emrat e përmendur janë:
Pançe Toshkovski, Ministër i Punëve të Brendshme (VMRO-DPMNE) Cvetan Tripunovski, Ministër i Bujqësisë (VMRO-DPMNE) Zoran Lutkov, Ministër i Kulturës dhe Turizmit (VMRO-DPMNE) Vesna Janevska, Ministre e Arsimit (VMRO-DPMNE) Igor Filkov, Ministër i Drejtësisë (ZNAM) Besar Durmishi, Ministër i Ekonomisë (VLEN) Orhan Murtezani, Ministër për Çështje Evropiane (VLEN)
Ky rikonstruktim i mundshëm shihet si pjesë e marrëveshjeve të reja politike që do të dalin nga negociatat e sotme mes VLEN-it dhe VMRO-DPMNE-së.


