Përleshje para klubit “Rinora4” në Cyrih – roje sigurie kosovar theret me thikë, arrestohet 26-vjeçar

Një incident i rëndë me dhunë ka ndodhur të shtunën mbrëma para klubit të njohur Rinora4 në Rümlang, afër Cyrihut, ku një punëtor sigurie 34-vjeçar me origjinë nga Kosova është therur me thikë dhe është dërguar me plagë në spital, raportojnë mediat zvicerane.

Sipas policisë kantonale, autori i dyshuar është një 26-vjeçar kosovar, i cili është arrestuar në kantonin Aargau.

Pamjet e publikuara nga portali “20 Minuten” tregojnë se ngjarja është paraprirë nga një përleshje fizike mes rojeve të sigurimit dhe disa klientëve të klubit. Në video shihet se të paktën pesë roje sigurie sulmojnë me grushta një grup festuesish, ndërsa dy prej tyre bien në tokë – njëri godet me kokë trotuarin dhe humbet ndjenjat.

Sipas dëshmitarëve, konflikti ka nisur pasi një klient i dehur është përjashtuar nga klubi, ndërsa miqtë e tij kanë dalë për ta ndihmuar. Në atë moment, sigurimi – sipas tyre – ka përdorur sprej lotsjellës dhe dhunë fizike.

“Sigurimi u hodh menjëherë mbi ne me sprej dhe grushta. Njëri nga miqtë tanë përfundoi me shtatë qepje në kokë,” ka deklaruar një dëshmitar për “20 Minuten”, duke shtuar se disa prej tyre do të paraqesin padi për lëndime trupore.

Drejtori i klubit, Shaban Konxheli, ka konfirmuar se nuk ka qenë në vendngjarje gjatë incidentit dhe se sigurimi është i kontraktuar nga një kompani e jashtme, SN Security GmbH, e cila nuk ka komentuar ende për rastin.

Policia zvicerane ka nisur hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat dhe përgjegjësitë e palëve të përfshira në këtë incident.