Rikonstruimi i Qeverisë, kush nga ministrat do të vazhdojë e kush do të largohet?
Me përfundimin e zgjedhjeve lokale dhe zgjedhjen e disa deputetëve dhe funksionarëve si kryetarë komunash, Kuvendi ka zëvendësuar tre deputetë, ndërsa në vijim pritet që edhe Qeveria të realizojë rikonstruimin e paralajmëruar.
Pas zgjedhjes së Izet Mexhitit si kryetar i Komunës së Çairit, do të duhet të plotësohen funksionet e zëvendëskryeministrit të parë dhe ministrit të Ambientit Jetësor. Për pozitën e parë tashmë është konfirmuar emri i Bekim Salit, ndërsa posti i ministrit të Ambientit do të mbetet në kuadër të koalicionit VLEN, por me një emër të ri.
Kryetari i Alternativës, Zeqirija Ibrahimi, tha se janë në pritje të përfundimit formal të procesit zgjedhor, pas së cilës do të zhvillohen bisedime me kryeministrin Hristijan Mickoski.
“Fillimisht do të flasim për pjesën e pozitave të zbrazura se si do t’i mbulojmë, kurse pjesa tjetër është a do të bëjmë një rikonstruim të thellë të Qeverisë apo do të ndalemi vetëm në pjesën e mbulimit të pozitave të zbrazura.
Nëse është puna vetëm për ato dy pozita, për njërën tashmë e di edhe opinioni që kemi dakordim në VLEN që do të jetë z. Bekim Sali, ndërsa për ministrin e mjedisit jetësor akoma nuk ka propozim nga Lëvizja Demokratike,”
– deklaroi Zeqirija Ibrahimi (VLEN).
Sipas informacioneve jozyrtare, kryeministri Mickoski nuk është i kënaqur me punën e disa ministrave nga ZNAM, konkretisht Igor Fillkov (Drejtësi) dhe Goran Minçev (Administratë), si dhe thuhet se ka pakënaqësi edhe ndaj ministres së Arsimit, Vesna Janevska.
Në lidhje me kuadrot e VLEN-it, Mickoski pritet të presë propozime nga partneri i koalicionit për ndryshime eventuale, siç ka qenë praktika deri më tani.
“Deri tani nuk kemi dëgjuar që ai ka pakënaqësi ndaj ministrave të VLEN-it, por duhet të flasim, t’i ballafaqojmë argumentet dhe të shohim ku janë vërejtjet.
Ne nuk jemi insistues për çdo kuadër nëse ka argumente se dikush tjetër mund ta bëjë punën më mirë,”
– shtoi Ibrahimi.
Rikonstruimin e Qeverisë e kishte paralajmëruar vet Mickoski që në fund të gushtit, duke theksuar se pas zgjedhjeve lokale do të hapet dera për njerëz të rinj me qëllim përmirësimin e kapaciteteve qeveritare.
📍Burimi: Alsat.mk

