Dorëzohen 16 ankesa në KSHZ pas raundit të dytë të zgjedhjeve lokale

Rezultatet e raundit të dytë të zgjedhjeve lokale kanë sjellë jo vetëm fitues dhe humbës, por edhe pakënaqësi dhe dyshime mbi procesin zgjedhor. Deri më tani, në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ) janë dorëzuar 16 ankesa që kanë të bëjnë me procedurën dhe rezultatet e raundit të dytë të zgjedhjeve, të mbajtura më 2 nëntor.

Afati për dorëzimin e ankesave përfundon sot, 48 orë pas publikimit të rezultateve fillestare.

Kandidati i koalicionit VLEN për komunën e Bërvenicës, Haqim Ramadani, ka dorëzuar katër ankesa që lidhen me vendvotimet 2032, 2033, 2034 dhe 2035. Në këtë komunë, fitues doli Jovica Ilievski nga VMRO-DPMNE me 4.374 vota, ndërsa Ramadani mori 4.224 vota.

Ndërkohë, koalicioni “Maqedonia Juaj” ka dorëzuar dhjetë ankesa për vendvotimet 2956, 2956/1, 2955, 2959, 2959/1, 2961, 2961/1, 2971, 2971/1 dhe 2973 në komunën e Shuto Orizares.

Edhe Aleanca e Romëve ka paraqitur ankesa për të njëjtën komunë, për vendvotimet 2961, 2962 dhe 2966.

Në Shuto Orizare, në raundin e dytë fitoi Kurto Dudush nga Unioni i Romëve me 3.894 vota, ndërsa Erxhan Demir, i mbështetur nga koalicioni i udhëhequr nga VMRO-DPMNE, mori 3.406 vota.

Nga ana tjetër, koalicioni “Përvojë për sukses”, që mbështeti Stevço Jakimovskin, ka dorëzuar ankesa për vendvotimet 2613 dhe 2631 në komunën e Karposhit.

Në këtë komunë fitoi kandidati i mbështetur nga VMRO-DPMNE, Sotir Lukrovski, me 13.512 vota, ndërsa Jakimovski mori 12.378 vota.

Sipas burimeve nga KSHZ, seanca për shqyrtimin e ankesave pritet të mbahet nesër, pas përfundimit të afatit ligjor për paraqitjen e tyre.