Policia garanton siguri maksimale për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale

Drejtori i Byrosë së Sigurisë Publike, Aleksandar Janev, zhvilloi takim pune me udhëheqësit e qyteteve ku do të mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve lokale. Në takim u diskutua gjendja e sigurisë në terren, sfidat dhe masat që po ndërmerren për të garantuar një proces zgjedhor të qetë dhe demokratik.

Janev theksoi se detyrimi kryesor i policisë është të sigurojë një atmosferë të qetë dhe të sigurt, ku qytetarët të mund të ushtrojnë lirisht të drejtën e tyre për të votuar, pa presione, frikësime apo kërcënime.

Ai paralajmëroi se nuk do të ketë tolerancë ndaj veprimeve të paligjshme, dhe çdo tentativë për prishjen e procesit zgjedhor do të përballet me reagim të menjëhershëm, profesional dhe vendimtar nga policia.

“Ashtu si në raundin e parë zgjedhor, oficerët e policisë do të jenë të vendosur pranë qendrave të votimit dhe në të gjitha zonat që konsiderohen me rrezik më të lartë. Përforcimi i sigurisë do të bëhet edhe përmes përdorimit të teknologjisë moderne, përfshirë mbikëqyrjen ajrore me dronë,” informoi Byroja e Sigurisë Publike.