Ali Ahmeti: Mospjesëmarrja e Albin Kurtit në protestë nuk është veprim i mirë
Tiranë, 17 tetor 2025 – Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka komentuar mungesën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në protestën gjithëkombëtare të mbajtur sot në Tiranë në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ahmeti e ka cilësuar mospjesëmarrjen e Kurtit si një veprim “jo të mirë”, duke theksuar se protesta nuk kishte karakter partiak.
“Nuk është mirë, kjo është një protestë mbarëkombëtare, është e thirrur nga shoqatat e dala nga lufta, pa ngjyrime politike. Besoj që në të ardhmen do ta shohin të gjithë që këtu nuk ka prapavijë as partiake, as për politika ditore, por është një solidaritet që bëhet për drejtësi, për ata të cilët kanë kontribuar për lirinë e Kosovës, që t’u jepet pafajësia, sepse janë të pafajshëm,” – deklaroi Ahmeti për Klan Kosova.
Kreu i BDI-së shtoi se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) ka qenë e drejtë dhe në përputhje me konventat ndërkombëtare.
“Ushtria jonë ka respektuar të gjitha konventat ndërkombëtare mbi luftërat. Ushtria jonë ka pasur vështirësitë nga më të mëdha për të menaxhuar me gjithë atë gjenocid që kanë ushtruar bandat serbe në Kosovë,” – u shpreh Ahmeti.
Protesta “Liria ka emër – Unë jam UÇK” mblodhi sot në Tiranë mijëra qytetarë nga të gjitha trojet shqiptare, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.


