Bujar Osmani: Zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të mbahen në mars ose prill të vitit të ardhshëm

Kandidati për kryetar të Komunës së Çairit, Bujar Osmani, ka konfirmuar se, sipas vlerësimeve të tij, zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Maqedoninë e Veriut pritet të mbahen në mars ose prill të vitit 2026.

“Ky është, në fakt, qëndrimi që e kemi thënë unë dhe ne që nga fillimi. Po, do të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare diku në mars ose prill. Dhe këtë e them në mënyrën më të argumentuar, bazuar në të gjitha bisedimet dhe marrëveshjet që ekzistojnë në skenën politike”, deklaroi Osmani.

Ai theksoi se deklarata e kryeministrit Hristijan Mickoski vetëm e konfirmon atë që BDI dhe opozita shqiptare e kanë paralajmëruar prej muajsh – se qeveria aktuale është e paqëndrueshme dhe e pamundur të mbahet deri në fund të mandatit.

“Sigurisht që kryeministrit ndoshta i duheshin argumente shtesë, të cilat tani po i sheh në terren, në raportin e forcave dhe në zhvillimet që po ndodhin. Situata është e paqëndrueshme dhe për këtë arsye ai tashmë ka filluar ta përgatisë terrenin”, tha Osmani.

Sipas tij, zgjedhjet e reja do të jenë një mundësi për formimin e një qeverie të re me fokus evropian dhe ekonomik.

“Ju siguroj se zgjedhje të parakohshme parlamentare do të ketë në mars–prill dhe do të ketë një qeveri të re që do ta çlirojë procesin evropian, do ta rikthejë bashkëjetesën dhe do ta ringjallë përparimin ekonomik të vendit”, shtoi Osmani.

Ndryshe, kryeministri Hristijan Mickoski dje në Forumin e Biznesit në Strumicë tha se pas fitores së pritur të VMRO-DPMNE-së në zgjedhjet lokale, do të ishte logjike të mendohet për zgjedhje të parakohshme parlamentare, për të siguruar një mandat të ri katërvjeçar.

Megjithatë, Mickoski theksoi se çdo vendim për këtë çështje do të udhëhiqet nga interesi i shtetit dhe jo nga ai politik.

“Duam ta vendosim shtetin dhe interesat e biznesmenëve në radhë të parë, në mënyrë që të keni të ardhme të parashikueshme. Vetëm atëherë do ta shqyrtojmë edhe interesin tonë politik”, deklaroi Mickoski.