Ahmeti nga Bogovina: Kandidatët në Strugë, Tetovë dhe Çair janë të Mickovskit
Në tubimin zgjedhor të Aleancës Kombëtare për Integrim (AKI) në Bogovinë, lideri i partisë, Ali Ahmeti, akuzoi kryetarin e VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski, për ndërhyrje dhe ndikim në komunat me shumicë shqiptare.
Ahmeti deklaroi se në Strugë, Tetovë dhe Çair, kandidatët që paraqiten si të pavarur janë në fakt të mbështetur nga Mickovski.
“Kristijan Mickovski mbështet kandidatët e pavarur, në Strugë është i Kristianit, në Tetovë është i Kristianit, në Çair është i Kristianit. Ma shumë Kristiani punon se ata vet”, tha Ahmeti, duke vënë në dyshim qëllimet e opozitës maqedonase në këto komuna.
Ai u bëri thirrje qytetarëve që të votojnë sipas bindjeve të tyre, por u shpreh qartë kundër koalicionit opozitar VLEN, duke pyetur:
“Si mundet që të zgjidhet kryetari i komunës së Tetovës që votat dhe vullneti të jetë i një komuniteti tjetër?”
Në fjalën e tij, Ahmeti theksoi rëndësinë e unitetit shqiptar dhe mbrojtjes së interesave kombëtare, duke nënvizuar se zgjedhjet lokale janë vendimtare për zhvillimin dhe përparimin e komunave shqiptare në Maqedoninë e Veriut.


