Pagesat në euro bëhen më të lira dhe më të shpejta, Maqedonia e Veriut zyrtarisht pjesë e SEPA-s

Nga nesër, qytetarët dhe kompanitë në Maqedoninë e Veriut do të përfitojnë nga ulja drastike e tarifave për pagesat në euro me vendet e Zonës së Vetme për Pagesa në Euro (SEPA). Siç përcjell TV21, tarifat do të jenë rreth gjashtë herë më të ulëta dhe transaksionet do të përpunohen më shpejt se më parë.

Konkretisht, një pagesë prej 500 eurosh, e cila deri tani kushtonte rreth 1.600 denarë, nga nesër do të kushtojë vetëm 260 denarë. Edhe për prurjet në euro të të njëjtës shumë, tarifat do të përgjysmohen, nga 280 denarë në 140 denarë.

Përfitime do të kenë edhe kompanitë, pasi zvogëlohen ndjeshëm shpenzimet e tyre ndaj bankave për pagesa ndërkombëtare.

Sipas njoftimit të Bankës Popullore, nëntë banka në vend janë tashmë plotësisht të përgatitura që nga nesër të fillojnë me kryerjen e pagesave përmes sistemit SEPA.

Më 6 mars 2025, Këshilli Evropian për Pagesa miratoi aplikimin e Maqedonisë së Veriut për t’u bërë anëtare e SEPA-s, duke mundësuar kështu një integrim më të plotë financiar me vendet e Bashkimit Evropian.

Kjo nismë pritet të ulë kostot e pagesave në euro me 40 vendet anëtare të SEPA-s, duke lehtësuar ndjeshëm qarkullimin e parasë dhe tregtinë ndërkufitare për qytetarët dhe bizneset. /tv21.tv