Mbyllet qeveria e SHBA-së 👇🏻

Qeveria e Shteteve të Bashkuara ka hyrë në mbyllje nga mesnata, pasi negociatat mes presidentit Donald Trump dhe ligjvënësve dështuan për shkak të mosmarrëveshjeve mbi financimin e shpenzimeve federale, sidomos në lidhje me kujdesin shëndetësor.

Kjo është mbyllja e parë që ndodh pas asaj më të gjatës në histori, e cila zgjati 35 ditë rreth shtatë vite më parë. Ndërprerja aktuale pritet të bllokojë punën e disa institucioneve dhe agjencive federale, duke ndikuar në qindra mijëra punonjës.

Presidenti Trump fajësoi demokratët për ngërçin dhe paralajmëroi masa ndëshkuese ndaj partisë së tyre, duke thënë se shumë vende pune do të shkurtohen dhe të prekurit do të jenë kryesisht demokratë. Ai shtoi gjithashtu se nga kjo situatë mund të dalin “gjëra të mira”, pasi sipas tij do të hiqen programe të panevojshme që i përkisnin kundërshtarëve politikë.

Ngërçi erdhi pasi Senati nuk arriti të miratonte një rezolutë të përkohshme financimi, megjithëse ajo kishte kaluar në Dhomën e Përfaqësuesve. Demokratët, edhe pse pakicë, kërkuan rikthimin e fondeve të mëdha për shëndetësinë, përfshirë programin Obamacare, ndërsa republikanët propozonin vetëm një zgjatje të financimit deri në fund të nëntorit.

Në mungesë të marrëveshjes, mijëra punonjës federalë do të dërgohen në shtëpi pa pagesë, ndërsa shërbimet bazike si posta, ushtria dhe programet sociale do të vazhdojnë të funksionojnë. Zyrtarët parashikojnë që deri në 750 mijë punonjës mund të mbeten pa paga derisa të përfundojë mbyllja.

Që nga viti 1976, SHBA ka përjetuar 21 mbyllje qeveritare, disa vetëm disa orëshe, por asnjë aq e rëndë sa ajo e dhjetorit 2018, kur ngërçi për murin në kufi me Meksikën la pa paga mbi 800 mijë punonjës federalë. Sa do të zgjasë mbyllja e re, ende nuk dihet.