Polemika në politikë: Vajza e Komandant Strugës reagon ndaj deklaratës së Adnan Azizit

Shefi i shtabit të VLEN-it, Adnan Azizi, gjatë konventës promovuese në Shkup, akuzoi kreun e BDI-së Ali Ahmetin për vrasjen e ish-komandantit të UÇK-së, Nuri Mazari (Komandant Struga).

Pas kësaj deklarate të bujshme, ka reaguar vajza e tij, Shqidona Mazari, e cila ka shprehur indinjatën për përdorimin e emrit të të atit në një fushatë politike.

“Me çfarë të drejte e përdorët këtë emër të shenjtë për kauza të momentit politik? Idealët nuk janë mall tregu, gjaku dhe sakrifica nuk janë slogan elektoral,” – shkruan ajo.

Në reagimin e saj, Shqidona kujtoi se Komandant Struga dhe Ali Ahmeti kanë qenë bashkëthemelues të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare dhe se falë sakrificës së tyre, sot shqiptarët garojnë të barabartë në zgjedhjet lokale në Strugë.

Ajo e quajti abuzim të rëndë përmendjen e emrit të të atit në tubime politike, duke shtuar se vrasja e tij mbetet një plagë e hapur për familjen.

“Nuk është vetëm padrejtësi ndaj tij, por edhe përdhosje e kujtimit të babait tim. Mos e përdorni Nuriun – as jetën, as vdekjen e tij – për përfitime apo qëllime të ulëta. Është e padenjë dhe e turpshme.”

Në fund, Shqidona Mazari u bëri thirrje shqiptarëve të mos e kthejnë dhimbjen në armë politike, por të bashkohen për forcë dhe unitet kombëtar.