Hapet Instituti për Zhvillim Ekonomik dhe Politik në Shkup
Profesori Bashkim Selmani ka inauguruar Institutin për Zhvillim Ekonomik dhe Politik, me seli në Shkup. Në fjalën e tij, ai theksoi se motivimi kryesor për themelimin e këtij institucioni kanë qenë studentët ekselentë që mbeten pa punë, ndërsa synimi është të ndryshohet mendësia ekonomike dhe politike në vend.
“Përparësi do t’u jepet personave të aftë dhe të përgatitur profesionalisht, ndërsa do të ndihmojmë viktimat e sistemit dhe do të kërkojmë përgjegjësi për ata që i kanë shkaktuar dëme dhe varfëri shtetit”, deklaroi Selmani.
Ai shtoi se demokracia funksionale nuk mund të ekzistojë pa bashkëbarazi kushtetuese, bashkëvendimmarrje dhe respekt të të drejtave ekonomike kombëtare, duke paralajmëruar se mungesa e këtyre elementeve çon në varfëri dhe shpopullim.
“Nëse njerëzit e ditur dhe të përgatitur profesionalisht nuk vijnë në shprehje, demokracia dhe kombi nuk kanë nevojë për armiq. Aty ku barazia zëvendësohet me aritmetikë dhe meritokracia humbet, drejtësia mbetet një koncept abstrakt”, theksoi Selmani.


