Minçev: Administrata e madhe por e dobët, do të shkurtohet për 40%

Shkup – Ministri për Administratë Publike, Goran Minçev, tha sot se reformat në administratë synojnë të eliminojnë partizimin dhe punësimet politike që çdo pushtet ka ushtruar ndër vite.
Në ceremoninë e nënshkrimit të memorandumit me ambasadorin francez Christophe Le Rigoleur, ai paralajmëroi se një pjesë e bordeve mbikëqyrëse dhe drejtuese do të shfuqizohen, duke çuar në një shkurtim prej 40% të administratës.
“Shumë institucione janë krijuar vetëm për qëllime politike, me nga një ose dy të punësuar. Kjo ka sjellë një administratë të madhe por të dobët. Procesi i riorganizimit është obligim nga Bashkimi Evropian,” tha Minçev.
Nga ana tjetër, ambasadori francez Le Rigoleur theksoi rëndësinë e trajnimit të shërbyesve publikë:
“Një nëpunës shtetëror duhet të jetë një lloj menaxheri, të udhëheqë ekipin e tij dhe të zbatojë vendimet e qeverisë. Këto reforma nuk janë vetëm kërkesë e BE-së, por do ta përmirësojnë jetën në vend.”
Rigoleur shtoi se procesi i reformave ndiqet nga afër nga Brukseli dhe se së shpejti pritet publikimi i Raportit të Progresit për vendet kandidate.

