Ish-gazetari i BBC: Kurti e Vuçiq bashkëpunojnë në heshtje, e përkrahin njëri-tjetrin

Vuçiç – Kurti

Milivoje Mihajloviq, ish-gazetar i BBC dhe ish-drejtor i Radio Beogradit, ka deklaruar se kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kanë krijuar një bashkëpunim në heshtje, ku e plotësojnë dhe e mbështesin njëri-tjetrin.

Në një intervistë për televizionin publik të Sllovenisë (RTV SLO), Mihajloviq tha se Kurti është bërë “studenti më i mirë i Vuçiqit” në rajon.

“Është një djalë i ri i padëgjueshëm, por po bën gjithçka vetëm që të fitojë zgjedhjet. Fushatën e ndërtoi kryesisht mbi represionin policor ndaj serbëve në veri të Kosovës, gjë që u pëlqeu një pjese të elektoratit të tij. Pastaj, deshi t’i tregojë Perëndimit forcën e tij,” u shpreh ai.

Sipas tij, SHBA-ja e pezulloi dialogun strategjik me Kosovën për shkak të veprimeve të Kurtit, sidomos pas sulmeve të tij ndaj Gjykatës Kushtetuese lidhur me Listën Serbe. Mihajloviq shtoi se ndërkohë, Vuçiq dhe Kurti do të vazhdojnë të koordinohen.

“Pres që mediat e Vuçiqit ta ndihmojnë Kurtin duke raportuar se ai po përgatitet për një sulm ndaj Serbisë. Kjo do të forcojë perceptimin tek votuesi kosovar se po hyn në konflikt me Serbinë, duke e larguar vëmendjen nga pezullimi i dialogut strategjik nga SHBA,” theksoi ai.

Mihajloviq nënvizoi se kjo “aleancë e fshehtë” e Kurtit me Vuçiqin nuk është rastësi, por një lojë e ndërsjellë politike që i shërben të dyve.