BDI: Mickoski në panik, VLEN drejt shpërbërjes politike

Aleanca Demokratike për Integrim (BDI) përmes zëdhënëses Arta Bilalli-Zendeli e kritikoi ashpër Hristijan Mickoskin dhe projektin e tij politik VLEN, duke thënë se deklaratat e tij tregojnë panik para zgjedhjeve të 19 tetorit dhe se koalicioni i tij është në rënie.

Bilalli-Zendeli akuzoi Mickoskin se, në vend që të ofrojë program dhe vizion, po shpik “skenarë imagjinarë” dhe tenton të vendosë përfaqësues shqiptarë nga jashtë vullnetit të komunitetit. Ajo ngriti një sërë pyetjesh për sjelljen e tij dhe për raportet me BDI-në dhe LSDM-në, duke pyetur pse VMRO nuk garon në disa komuna me shumicë shqiptare dhe nëse po zhvillohet një plan i përbashkët politik për të zvogëluar zërin politik të shqiptarëve.

Arta Bilalli- Zendeli

Sipas Bilalli-Zendelit, realiteti është i thjeshtë: VLEN po humbet mbështetje dhe më 19 tetor pritet të përjetojë një dështim. Ajo kujtoi se BDI nuk është vetëm parti, por “organizimi politik i shqiptarëve” që qëndron pas arritjeve kryesore si Marrëveshja e Ohrit, anëtarësimi në NATO dhe avancimi në negociatat me BE-në. Çdo fjalë për “eliminim” të BDI-s, tha ajo, është retorikë nacionaliste dhe e rrezikshme.

Bilalli-Zendeli përfundoi me apel drejt elektoratit shqiptar: BDI nuk largohet, nuk dorëzohet dhe nuk blihet — më 19 tetor shqiptarët do të dërgojnë mesazhin e tyre dhe do të refuzojnë projektin e Mickoskit.