Mickoski kundër protestës së Ahmetit: “Lëvizje e gabuar që vështirëson gjetjen e partnerëve të koalicionit”
Kryeministri Hristijan Mickoski, gjatë një brifingu me gazetarët, ka komentuar protestën e paralajmëruar nga lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, në mbështetje të ish-pjesëtarëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë. Mickoski e cilësoi këtë veprim si një lëvizje të gabuar të Ahmetit dhe i bëri thirrje që ta rimendojë këtë vendim.
Sipas Mickoskit, protesta po përdoret për mobilizim të strukturave partiake para Kongresit të BDI-së. Ai shtoi se një veprim i tillë vetëm sa e vështirëson pozitën e BDI-së për të gjetur partnerë të ardhshëm koalicioni.
“Unë nuk e mbështes këtë ide dhe as nuk pajtohem me këtë marsh. Jam i bindur se as VLEN nuk do ta përkrahë”, deklaroi Mickoski, raporton SHENJA.

