Arrestohet drejtoresha e Emigracionit, dyshohet se theu arrestin në shtëpi dhe tentoi t’i vinte flakën makinës së ish-partnerit

Policia e Tiranës ka arrestuar 43-vjeçaren Alma Bime, drejtuese e sektorit të Emigracionit në Ministrinë e Brendshme, nën dyshimet se ka shkelur masën e sigurisë “arrest në shtëpi” dhe ka tentuar t’i vërë flakën automjetit të ish-bashkëjetuesit të saj.

Sipas njoftimit zyrtar, arrestimi u krye nga Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4, pas denoncimit të bërë nga ish-bashkëjetuesi i saj, Mareglen Tomori. Ngjarja vjen disa muaj pasi Bime ishte shoqëruar nga policia për akuza që lidhen me kanosje dhe dëmtim prone.

Burime mediatike bëjnë me dije se konflikti mes palëve ka qenë i vazhdueshëm. Sipas denoncimit, Bime dyshohet se ka kërcënuar një shtetas të huaj të punësuar në banesën e Tomorit dhe më herët ka shkaktuar dëme materiale, përfshirë djegien e orendive shtëpiake.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore.