Gjykata e Apelit në Manastir vërteton vendimin e shkallës së parë për rastin e mjekut Muhamed Asani nga Struga
Gjinekologu Muhamed Asani është dënuar përfundimisht me tre vjet burg, pasi Gjykata e Apelit në Manastir ka refuzuar ankesën e tij dhe ka lënë në fuqi aktgjykimin e shkallës së parë.
Përveç dënimit me burg, gjykata ka konfirmuar edhe masën plotësuese, duke ia ndaluar ushtrimin e profesionit të mjekut për një periudhë prej pesë vitesh.
Asani u shpall fajtor për veprën penale “vepra të rënda kundër shëndetit të njerëzve”, lidhur me rastin e pacientes Jaldz Veaposka nga Dibër.
Sipas aktgjykimit dhe ekspertizave mjeko-ligjore, gjatë një lindjeje me prerje cezariane, pacientes iu nënshtruan ndërhyrje të rënda mjekësore, ku iu hoqën mitra, një vezore dhe një veshkë. Ekspertët konstatuan se këto ndërhyrje nuk kanë qenë të arsyetuara plotësisht nga ana mjekësore dhe kanë shkaktuar pasoja të rënda dhe të pakthyeshme për shëndetin e saj.
Gjykata vlerësoi se gjatë trajtimit ka pasur lëshime serioze profesionale dhe neglizhencë, çka çoi në dënimin penal të gjinekologut. Rasti ka ngjallur reagime të shumta në opinionin publik dhe është konsideruar një nga rastet më të rënda të neglizhencës mjekësore në vend.

