Kallëzim penal ndaj tre personave në Vevçan për keqpërdorim detyre dhe punë të pandërgjegjshme

Njësia e Jashtme për Punë Kriminalistike në Strugë ka ngritur kallëzim penal ndaj tre personave – V.R. (56), Z.P. (61) dhe A.A. (60), të gjithë nga Komuna e Vevçan – për dyshime për veprat penale “keqpërdorim i pozitës dhe autorizimeve zyrtare” dhe “punë e pandërgjegjshme në shërbim”.

Sipas njoftimit, i dyshuari i parë, në cilësinë e drejtuesit në Ndërmarrjen Pyjore “Jabllanica–Strugë”, nuk ka ushtruar mbikëqyrje të duhur mbi prerjen, transportin dhe pagesën e masës drusore, duke mos parandaluar veprimet e paligjshme të të punësuarve dhe duke mundësuar përfitime të kundërligjshme.

I dyshuari i dytë, si referent për shfrytëzim dhe mbrojtje të pyjeve, ka dështuar të kryejë kontrollin e nevojshëm mbi procesin e prerjes dhe transportit të drurit.

Ndërsa i treti, në pozitën e referentit për prerje dhe furnizim, duke keqpërdorur detyrën, ka lëshuar dokumente transporti për dru të prerë në mënyrë të paligjshme, duke i vulosur paraprakisht, edhe pse ishte në kundërshtim me ligjin dhe rregulloret përkatëse për pyjet.

Si pasojë e këtyre veprimeve, është shkaktuar dëm material ndaj Ndërmarrja Publike Pyjet Nacionale dhe buxhetit të shtetit në vlerë prej 280.436 denarë.