Mickoski: Struga nuk do të lidhet me autostradën Ohër–Kërçovë, pengesë UNESCO
Kryeministri Hristijan Mickoski konfirmoi se Struga, me shumë gjasë, nuk do të lidhet me autostradën Ohër–Kërçovë, pasi segmenti Trebenishtë–Qafë Thanë pritet të hiqet nga planet.
Sipas tij, arsyeja kryesore lidhet me kufizimet që burojnë nga UNESCO, pasi traseja kalon në zonë të mbrojtur. Megjithatë, ai theksoi se po shqyrtohen alternativa për të siguruar lidhje të sigurt rrugore në këtë pjesë.
Ndërkohë, Mickoski deklaroi se autostrada Kërçovë–Ohër pritet të përfundojë deri në mesin e majit 2027, sipas afatit të ri.
Ai bëri të ditur gjithashtu se financimi nga Exim Bank of China është ndërprerë, ndërsa projekti do të vazhdojë me kredi nga bankat vendore përmes Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore.
Sa i përket projekteve të tjera në kuadër të Korridoreve 8 dhe 10D, kryeministri theksoi se mbi 90% e obligimeve të shtetit janë përfunduar, ndërsa pjesa e mbetur i takon realizuesve, me mundësi për shtyrje të afateve.

