Hapet konkursi për drejtor dhe zëvendësdrejtor në RTVM, afati 15 ditë

Ka nisur gara për zgjedhjen e drejtorit dhe zëvendësdrejtorit në Radio Televizioni i Maqedonisë, pasi Këshilli Programor shpalli konkursin publik, i cili do të jetë i hapur për 15 ditë.

Kandidatët duhet të jenë shtetas të Maqedonisë së Veriut dhe të plotësojnë disa kritere, përfshirë: arsim të lartë, minimum tetë vite përvojë pune në fusha si komunikimi, gazetaria, TI, kultura, ekonomia ose drejtësia, si dhe të paktën katër vite përvojë në menaxhim.

Aplikimi realizohet përmes një procedure të veçantë me tre zarfe: një për dokumentacionin, një për programin trevjeçar të punës dhe një zarf të jashtëm që përmban të dyja, të koduara për të ruajtur anonimitetin e kandidatëve.

Një nga dilemat kryesore të Këshillit Programor ka qenë interpretimi i “përvojës së punës”, ku referencë merret Ligji për nëpunës administrativë, që e përcakton përvojën si periudhë pune pas përfundimit të arsimit përkatës.

Sipas informacioneve, për postin e zëvendësdrejtorit pritet të garojnë 4–5 kandidatë, kryesisht nga fusha e gazetarisë.

Këshilli Programor pritet që deri në fund të muajit prill të emërojë drejtuesit e rinj të institucionit.