Përçarje në VLEN: Marrëveshje vetëm mes Mexhitit dhe Kasamit, përplasjet vazhdojnë
Ideja për bashkimin e shpejtë të partive brenda VLEN në një subjekt të vetëm politik po përballet me pengesa serioze, ndërsa dallimet brenda koalicionit duket se po thellohen.
Sipas burimeve nga koalicioni, marrëveshje konkrete për momentin ekziston vetëm mes Izet Mexhiti dhe Bilall Kasami, ndërsa negociatat me Alternativa dhe grupin e Azir Aliu mbeten larg një zgjidhjeje përfundimtare, shkruan gazeta Koha.
Një nga pikat kryesore të përplasjes lidhet me përbërjen e Kryesisë së ngushtë të partisë së re. Emri i deputetit Ilir Demiri, i përfolur si kandidat për nënkryetar, ka shkaktuar kundërshtime brenda koalicionit.
Deputetja Mimoza Musa ka paralajmëruar se mund të largohet nga grupi parlamentar i VLEN-it nëse Demiri emërohet në këtë post. Nga ana tjetër, një pjesë e strukturave që u shkëputën nga zëvendëskryeministri Arben Fetai konsiderojnë se Musa duhet të jetë nënkryetare e partisë, duke theksuar rolin e saj në qëndrimin brenda koalicionit pas largimit nga Arben Taravari.
Situata komplikohet edhe nga qëndrimi i vetë Demirit, i cili sipas burimeve ka lënë të kuptohet se nëse nuk emërohet në postin e premtuar të nënkryetarit, mund të veprojë si deputet i pavarur dhe të mos e mbështesë VLEN-in në Kuvend.
Ndërkohë, propozimi që partia e re të drejtohet nga dy bashkëkryetarë – Mexhiti dhe Kasami – nuk po gjen mbështetje të plotë. Kundërshtime ka edhe nga Alternativa e udhëhequr nga zëvendëskryeministri Bekim Sali, të cilit i është ofruar posti i sekretarit të përgjithshëm, por ai ende nuk ka dhënë përgjigje zyrtare.
Alternativa pritet të marrë vendim përfundimtar në Kuvendin e saj më 18 mars, ku do të shqyrtohet qëndrimi ndaj projektit për transformimin e VLEN-it në parti të vetme.
Brenda kësaj partie ka gjithashtu zëra që kërkojnë që edhe Bekim Sali të jetë bashkëkryetar, duke iu referuar marrëveshjes fillestare të koalicionit për drejtim të përbashkët. Ndërkohë, propozimi aktual për ndarjen e pushtetit parashikon 35% për Lëvizjen BESA dhe 35% për Lëvizjen Demokratike, ndërsa vetëm 10% për Alternativën.
Në këtë proces përmendet edhe roli i Bekim Qoku, i deleguar nga Lëvizja Vetëvendosje, i cili aktualisht është koordinator i grupit parlamentar të VLEN-it.
Përpjekjet për shndërrimin e VLEN-it në parti të vetme kanë nisur pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2024, por pavarësisht diskutimeve të shumta – fillimisht për katër bashkëkryetarë dhe më pas për dy – marrëveshja përfundimtare ende nuk është arritur.

